Klubi Futbollistik Rahoveci ka pësuar humbje në Viti me rezultat 1-0. Por, humbja nuk është asgjë me atë çka ka ndodhur sot.
Një prej pak lojtarëve autoktonë rahovecianë të ekipit, kapiteni Hamëz Merxha, mungoi në këtë sfidë, dhe për këtë arsye edhe pësoi humbje skuadra, pasi që munguan edhe katër lojtarë të tjerë titullarë.
Sipas një komunikate të publikuar në faqen zyrtare të klubit në Facebook, Merxha mungoi sepse nuk u paraqit në kohë dhe autobusi është nisur drejt Vitisë.
Megjithatë, kjo mohohet nga disa burime të Rahoveci24 afër kapitenit rahovecian, i cili mohoi të jetë vonuar, por se zyrtarët e klubit nuk kanë dashur të presin atë dhe janë nisur pa të në Viti.
Kështu, përpos humbjes së pësuar ndaj Vitisë, priten përçarje edhe më të mëdha në ekipin e KF Rahovecit.
Hamëz Merxha vështirë se do të kthehet në klub pas këtyre ngjarjeve, teksa numri i lojtarëve nga Rahoveci që luajnë për KF Rahovecin po shkon gjithnjë e në rënie.
Kapiteni Hamëz Merxha ishte pjesë kyçe e ekipit të KF Rahovecit dhe shtylla e mbrojtjes, teksa tash shiriti i kapitenit vështirë se do të mund të mbahet denjësisht pasi që atë sipas të gjitha gjasave do të marrë një lojtar jo – rahovecian.
Sipas drejtorit të klubit Arben Sokoli, orari është për të gjithë i njëjtë dhe se lojtarët duhet të jenë më të përgjegjshëm.
KF Rahoveci ka bërë shumë blerje gjatë janarit, kryesisht lojtarë jo nga Rahoveci dhe në perëndim të karrierës, ndonëse edhe vendi jonë ka shumë talent.
Përkundër këtyre blerjeve, KF Rahoveci ka regjistruar dy humbje në katër ndeshjet e fundit dhe ende nuk ka siguruar qëndrimin në Ligën e Parë. /Rahoveci24/