Dardan Berisha nuk do të qëndrojë në Pejë – këtë e dinë tashmë të gjithë në Superligë.
Dardan Berisha po kërkon klub të ri pas përfundimit të sezonit të kaluar që nuk ishte më i dëshiruari për të me Pejën, duke u mposhtur në finale nga Golden Eagle Ylli i Erjon Kastratit dhe Gëzim Morinës.
Dhe pas daljes së këtyre informacioneve për “Dalin”, menjëherë spekulimet kanë nisur.
Aty menjëherë në rresht të parë është Golden Eagle Ylli që “e ka thyer bankën” për të rinovuar me superyjet aktuale, por nuk u mjaftua, e transferoi edhe Mikaile Tmusicin nga Podgorica.
Klubi suharekas kërkon të kompletojë Super-ekipin me Dardan Berishën, por aty është një pengesë – KB Rahoveci.
Së fundmi në klub është futur një sponsor i ri nga diaspora, që bashkë me sponsorët tjerë kanë konsoliduar një bugjet të konsiderueshëm për një luftë për titull.
Fotis Takianos po kërkon garanci për luftë për titull dhe për këtë ka kërkuar dorë të lirë në transfere, gjë që ja ka siguruar klubi.
Ajo që tekniku ja ka lënë në dorë klubit është angazhimi i një superylli vendor në pozitën e organizatorit dhe këtë e ka caktuar me prioritet të lartë pasi ishte ndarë i pakënaqur me vendorët e edicionit të kaluar.
Dardan Berisha ishte shumë pranë Rahovecit dy sezone më parë, por vendosi të vazhdonte me Prishtinën.
Tash, kjo dëshirë mund të plotësohet për klubin Vreshtar që ka në dispozicion gjithçka që i duhet për të angazhuar basketbollistin më të mirë shqiptar në histori për të konkurruar Golden Eagle Yllin në një luftë epike për titull ku do të përfshiheshin edhe Prishtina, Peja dhe Trepça.
Për Rahovecin Dardan Berisha është opsioni primar, megjithatë zgjedhja e lojtarit do të jetë kyçe për të përcaktuar rrugën ku do të shkojë klubi vreshtar.
Në rast se kolapsojnë bisedimet me Dardan Berishën aty është si plan B edhe Divine Myles, i cili po ashtu u kërkua nga Ylli, por që paga e tij astronomike mbetet problem për secilën skuadër kosovare.
Divine Myles aktualisht është lojtar i lirë dhe po kërkon klub të ri, ndërkaq atë e favorizon në masë të madhe pasaporta e Kosovës ku do të llogaritej si vendor.
Një gjë është e sigurt – spekulimet po vazhdojnë, teksa ajo që dihet për momentin janë akordet në parim me Fotis Takianos dhe Musab Malën të cilët pritet të zyrtarizohen në ditët në vijim.
/Rahoveci24/