Rahoveci 15 fitore rresht, Afrim Deliu: Do të jemi pretendent për titull deri në fund

Rahoveci po tregon lojëra të jashtëzakonshme dhe si fryt i kësaj edhe i prin bindshëm kreut të tabelës në Superligën e Kosovës.

Klubi i hendbollit Rahoveci tani për tani ka thyer dominimin e kampionit në fuqi Besa Famgas nga Peja.

640x74

Treguesi më i mirë është se ka 6 pikë para Besës që renditet në pozitën e dytë.

Rahoveci kryeson me 30 pikë apo me 15 fitore rresht për 15 javë, duke lënë pas Besën me 24, Trepçën 20, Kastriotin 18, Prishtinën 14 pikë etj.

Rahovecianët me kryetrajnerin Verim Zherka janë shndërruar në një rival i frikshëm për secilin klub. 

Organizimi, disiplina, lojërat e mira, janë pasqyra më e mirë e një klubit që po mahnit të gjithë. 

Rahoveci kërkon trofeun e parë në histori të klubit.

Drejtori sportiv i klubit të Rahovecit, Afrim Deliu, thotë në intervistën për gazetën kombëtare “Bota sot” se synojnë titullin e kampionit të Kosovës.

“Bota sot”: Rahoveci ka një seri të jashtëzakonshme të fitoreve, 15 rresht, cili është çelësi i kësaj serie? 

Afrim Deliu: Janë disa faktorë që kanë ndikuar në këtë seri. Fillimisht, qëndrueshmëria dhe organizimi serioz për disa vite me radhë, pra nuk është diçka e momentit.

Pastaj, patjetër, përkrahja e madhe e sponsorëve dhe sigurisht, serioziteti në angazhim i stafit dhe lojtarëve që kemi.

“Bota sot”: A e keni pritur se do të jeni dominues kur kihet parasysh se rival të madh tani për tani e keni Besa Famgas?

Afrim DeliuMe investimet e bëra në fillim të sezonit aktual kemi planifikuar të jemi pretendent për të gjitha trofetë. Ky është synimi jonë dhe ne e marrim secilën lojë me radhë deri sa të arrijmë në synimet finale.

Është një bonus i mirë që kemi vetëm fitore deri tash, por as nuk po mendojmë për një ‘sezon perfekt’. 

“Bota sot”: Çfarë e veçon Rahovecin nga klubet tjera?

Afrim Deliu: Secili klub i ka veçoritë e veta dhe nuk mendoj se është fer të bëjmë krahasime të tilla.

Ajo që mund të them është se jam krenar me organizimin, arritjet dhe angazhimin e secilit pjesëtar të klubit.

Mos të harrojmë edhe tifozët që sivjet na kanë përkrahur me numër më të madh se ndonjëherë tjetër.

“Bota sot”: Rahoveci po investon shumë në vitet e fundit, përveç që synon trofe cilat janë planet tjera?

Afrim DeliuRahoveci ka investuar shumë, në sporte të ndryshme, por për shkak të rrethanave, akoma nuk kemi arritur të sjellim ndonjë trofe madhor në sportet kryesore kolektive në qytetin tonë.

Ky mbetet synimi i parë, ndërsa paralel me të është edhe vazhdimësia dhe kjo arrihet me investim në gjeneratat e reja, gjë për të cilën po angazhohemi vazhdimisht.

“Bota sot”: Çka i duhet më shumë?

Afrim Deliu: Nuk kam çfarë kërkoj më shumë nga askush në këtë moment. Duhet vetëm ta mbajmë tempon dhe vazhdimësinë, sukseset do të vijnë padyshim.

“Bota sot”: A mendoni se Besa do të jetë rivali i madh për titull apo ia keni frikën edhe Kastriotit të përforcuar?
Afrim Deliu:
 Mendoj se ka disa skuadra pretendente për titull. Besa Famgas duhet respektuar si pretendenti kryesor për shkak të historisë dhe sukseseve të jashtëzakonshme të viteve të fundit.

Kastrioti ka bërë përforcime të mëdha dhe kjo vetëm sa e bën ligën edhe më interesante. Nuk duhet mënjanuar edhe skuadrat tjera me traditë si Prishtina e Trepça. 

“Bota sot”: Rahoveci ka palestrën më të mirë në shtetin tonë, do të synoni të merreni organizimin e Kupës së Kosovës?

Afrim Deliu: Të shohim si po ecin gjërat, është herë të flasim. Sigurisht do të ishte një motiv shtesë për ne për ta fituar trofeun në Rahovec, por mbetet për t’u parë e diskutuar.

“Bota sot”: A do të përforcoheni edhe me ndonjë lojtar ndërkombëtar pasi që deri më 28 shkurt e keni këtë të drejtë?

Afrim Deliu: Për momentin jemi shumë të kënaqur me secilin lojtar që kemi në dispozicion.

Nuk kemi ndonjë plan, përveç nëse rrugës na duhet ndonjë intervenim urgjent ose hapësirë për ndërhyrje.

“Bota sot”: Çfarë i premtoni tifozëve dhe qytetit të Rahovecit?

Afrim Deliu: Angazhim maksimal dhe luftim të pashoq për çdo top, duel, aksion e gol.

Lojë atraktive, mbrojtje të fuqishme e shumë gola. Do të jemi pretendent për titull deri në fund, krahas skuadrave tjera.

Një gjë e di sigurt, pa përkrahjen e tyre të madhe, fitorja bëhet shumë e vështirë, andaj na përkrahni dhe llogariteni si investim që ne ua kthejmë me rezultate.

Shkruani koment:

Ju lutem shkruani koment.
Ju lutem shkruani emrin tuaj.