Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Korenica, do të jetë kandidati i VV-së për zgjedhjet e 17 tetorit, mësojnë burimet e sigurta të Rahoveci24.
Procesi i zgjedhjes së kandidatit për kryetar në subjektin politik, Lëvizja Vetëvendosje, kaloi nëpër një debat konstruktiv politik.
Sipas këtyre burimeve ka tash e sa kohë që janë konsideruar opsionet, ku kishte edhe emra tjerë në “mix”, të cilët deputeti Korenica ishte në gjendje që t’i përkrahë nëse do t’i hynin garës për të parin e komunës së Rahovecit.
Sidoqoftë, antarët e degës së VV-së në Rahovec, në bashkërendim me vullnetin e organeve qëndrore të VV-së i kanë kërkuar Visar Korenicës që të jetë kandidati për kryetar të VV-së në Rahovec, një përgjegjësi që deputeti besohet ta ketë pranuar.
Për këtë flasin takimet e shumta të Korenicës me qytetarët dhe tashmë fillimi i prezantimit të kandidatëve për asamble.
Ndërkaq, tashmë është themeluar edhe grupi punues i VV-së për fushatën, antarët e të cilit po shihen bashkë dhe po e hartojnë programin e qeverisë.
Kujtojmë se në vitin 2017 Visar Korenica kishte pësuar humbje në zgjedhjet lokale, vetëm pak kohë pasi ishte antarësaur në Vetëvendosje, ndodhi kjo pas një fushate historike të tij që zuri vend edhe në mediat nacionale.
Rrugëtimi i Visarit nuk përfundoi, ai në vitin 2019 u fut në garën për Kuvendin e Kosovës, ku nuk arriti që të triumfojë sërish, por as atëherë ai nuk u dorëzua.
Në zgjedhjet parlamentare të 14 Shkurtit ai mori një numër jashtëzakonisht të madh të votave duke qenë më i votuar për deputet se sa shumë figura tjera emblematike të VV-së.
Tash si duket Korenica do të përballet me sfidën më të madhe në jetën e tij ndaj kandidatit që nuk e ka mposhtur kurrë – zgjedhjet për kryetar të Rahovecit me kundërkandidat Smajl Latifin. /Rahoveci24/