Priten masa të reja, radhë të gjata të qytetarëve për t’u testuar në IKSHPK

Situata epidemiologjike në Kosovë vazhdon të jetë kritike, si pasojë e rritjes së madhe të numrit të rasteve të reja me COVID-19.

Kjo gjë ka bërë që sot në oborrin e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik të shihet një numër i madh i qytetarëve të cilët po presin për t’u testuar.

640x74

Një gjë e tillë shihet në fotografitë që kanë ardhur në adresë të Telegrafit, ku shihet se rendi i qytetarëve që po presin për t’u testuar është shumë i gjatë.

Kujtojmë se dje në Kosovë janë konfirmuar 728 raste të reja me COVID-19, ndërkaq numri i rasteve aktive ka arritur në 5 mijë e 118.

Si rezultat i kësaj situate, dje komisioni këshillëdhënës për masat kundër COVID-19 ka mbajtur takim në Ministri të Shëndetësisë ku ka diskutuar për situatën epidemiologjike në vend dhe për shqyrtimin e masave anti COVID në fuqi.

Në këtë takim është theksuar nevoja e respektimit të plotë të masave të ndërmarra më parë përmes mbikëqyrjes së zbatimit të tyre nga të gjitha institucionet përgjegjëse, ndërkohë që popullatës i është bërë thirrje që  të vaksinohen plotësisht përfshirë edhe marrjen e dozës përforcuese të vaksinës kundër COVID-19.

Ndryshe, është rritur edhe numri i pacientëve që kërkojnë hospitalizim nga COVID-19.

Bazuar në raportet e datës 18 janar 2021 nga klinikat COVID-19 në QKUK dhe spitalet e përgjithshme, në trajtim mjekësor janë 81 pacientë nga COVID-19.

51 prej tyre të konfirmuar me COVID-19 pozitivë dhe 30 të tjerë post-COVID.

Javën që lamë numri i pacientëve me COVID-19 të shtrirë në QKUK dhe spitalet e përgjithshme varionte nga 23 deri 36 pacientë. /Telegrafi/

Shkruani koment:

Ju lutem shkruani koment.
Ju lutem shkruani emrin tuaj.