Prishtina do ta shesë Blesan, përfiton edhe KF Rahoveci

Nënkampioni i Rumanisë, FC Steaua Bucuresti do të jetë skuadra e re e Jalen Blesas, sulmuesit të Prishtinës, raportojnë sot mediat rumune.

Siç raporton gazeta Fanatik, presidenti i klubit të madh rumun Gigi Becali po mendon ta përforcojë sulmin e skuadrës së tij me sulmuesin e Prishtinës.

Jalen Blesa, futbollisti i cili në shkurt do të mbushë 23 vjeç, sapo ka hyrë në gjashtë muajt e fundit të kontratës, ndaj drejtuesit e Prishtinës janë të gatshëm të ndahen prej tij tani, para se ta humbasin falas këtë verë.

Shuma e kërkuar prej bardhebluve është 200 mijë euro, e cila nuk duket aspak e madhe për presidentin e FCSB, nëse shikojmë historikun e transfertave të parave që ata kanë bërë në të shkuarën. Nga kjo shumë, 20 për qind do të shkonte për KF Rahovecin, për të cilët luante Blesa para transferimit te Prishtina.

I mbërritur në Prishtinë në janar të vitit 2023, Jalen Blesa arriti që në këtë sezon të kampionatit të shënojë tetë herë dhe t’u sigurojë bashkëlojtarëve tre asistime vendimtare, në 17 ndeshje të luajtura. Ai gjithashtu shënoi një ‘dopietë’ në ndeshjen e vetme të luajtur në Kupë me Prishtinën.

Shkruani koment:

Ju lutem shkruani koment.
Ju lutem shkruani emrin tuaj.