Prezantohet plani për menaxhimin e mbeturinave

Dje u mbajt një takim ku përfaqësuesit e Agjencisë zviceran Demos, në partneritet me komunën e Rahovecit, prezantuan Planin për menaxhimin e mbeturinave, ku ishin të pranishëm nënkryetari i komunës së Rahovecit, Xhemali Haxhimustafa, kryesuesi i Kuvendit komunal, Nahit Elshani, si dhe drejtorët e Drejtorive komunale, Feim Fetoshi, Lulzim Sylejmani dhe Muhamet Behra.

Nënkryetari Haxhimustafa falënderoi përfaqësuesit e DEMOS-it, për ndihmën që po ofrojnë dhe angazhimin e tyre në hartimin e këtij plani, ndërkaq përfaqësuesja Majlinda Jupolli thotë se qëllimi i projektit është kompletimi i planit komunal dhe finalizimin e tij.

Prezantimin mbi rëndësinë dhe përmbajtjen e planit të menaxhimit të mbeturinave e bëri konsulenti profesional për fushën e menaxhimit të mbeturinave, Pëllumb Gjinolli, i cili thotë se ky plan përfshin aspektet demografike, ekonomike, financiare, menaxhimin e mbeturinave nga ana e komunës. Gjinolli në vazhdim thotë se operimet e modeleve të menaxhimit të mbeturinave janë komunale, regjionale, private dhe modeli i partneritetit publiko privat.

Ai theksoi në vazhdim përparësitë dhe dobësitë e këtyre modeleve, duke shtuar se plani është pesëvjeçar.

Në diskutim morën pjesë edhe drejtorët komunal, Lulzim Sylejmani dhe Feim Fetoshi, të cilit apostrofuan se komuna e Rahovecit është e vogël në krahasim me ato më të mëdha, sa i përket kapaciteteve dhe mundësive financiare, përkundër faktit që komuna ka hartuar Draft Planin për menaxhimin e mbeturinave.

Nënkryetari Haxhimustafa në fund theksoi se në drejtim të menaxhimit të mbeturinave nuk është bërë shumë as në nivelet komunale po as në nivelin shtetëror, ndërkaq edhe njëherë drejtori për Buxhet dhe Financa thotë se realizimi nuk mund të pritet të jetë shumë i madh, ku problemi kryesor paraqet inkasimi i mjeteve nga qytetarët por edhe të bizneseve./Rahoveci24/

Shkruani koment:

Ju lutem shkruani koment.
Ju lutem shkruani emrin tuaj.