Presidenti i KB Teutës thotë se ndeshjet në Ligën Unike po kurdisen

Liga Unike, eventi i përbashkët i basketbollit me skuadra nga Shqipëria dhe Kosova, ka zhvilluar katër javët e para të sezonit të rregullt. Një aktivitet mbarëkombëtar që ka dhuruar ndeshje mjaft interesante, por që gjithashtu nuk po qëndron as larg polemikave. Arqile Gorea, presidenti i Teutës, skuadrës që kryeson kampionatin, në një intervistë për “Panorama Sport” ka hedhur akuza të forta për ndërhyrje nga Federata Shqiptare në këtë aktivitet, kryesisht për pjesën e arbitrimit. Ndërhyrje për të cilat kreu i skuadrës bregdetare shprehet se e bëjnë të besojë se në këtë event kemi të bëjmë me manipulime dhe trukime të ndeshjeve, të cilat, siç dihet, kuotohen edhe në baste. Gorea kërcënon deri me tërheqje nga gara, nëse Liga Unike nuk vepron si një institucion i pavarur.

_______

640x74

Z.Gorea, Teuta vjet nuk mori pjesë në Ligën Unike, pasi ishit në kundërshtim me mënyrën e organizimit. Ndërkohë, këtë edicion edhe pse jeni në vend të parë, vazhdoni ta ngrini zërin për mënyrën e funksionimit të eventit mbarëkombëtar…

Ju e dini shumë mirë që ne vjet nuk morëm pjesë në Ligën Unike për një sërë faktorësh. Edhe këtë sezon ishte e njëjta situatë, por duke menduar që presidenti i Ligës Unike, z.Ilir Trebicka, është njeri serioz, gjithashtu edhe Federata e Basketbollit të Kosovës është një institucion serioz dhe i formatuar me rregullore dhe ligjshmëri strikte, menduam që këto do të sillnin risi dhe do të kishim të bënim me një menaxhim më të mirë, duke nisur që nga gjykimi i ndeshjeve, pra të gjykatës së basketbollit. Menduam që këto gjykata do të ishin me arbitra të përgjegjshëm, të cilët edhe në rast se do të demonstronin veprime të njëanshme ose antisportive, do të merrnin ndëshkimin që u takonte.

Më konkretisht, cilat janë problemet që po hasni këtë sezon?

Dua të them që Liga Unike filloi mirë, ku u caktua një koordinator për arbitrat dhe menduam që kompeticioni do të ishte me organe të pavarura dhe një organizim krejt i veçantë. Menduam që autoriteti i padiskutueshëm i këtij eventi do të ishte z.Trebicka, por gjatë kësaj kohe kemi pasur turbullime gjatë rrugës. Për shembull, në ndeshjen që ne patën kundër Golden Eagle Yllit, kërkuam që arbitri Ervin Koçi të mos ishte pjesë e arbitrimit në ndeshjen tonë, sepse është një gjyqtar për të cilin kemi folur edhe më parë dhe mendojmë që nuk ka pasur qëndrime korrekte ndaj Teutës. Për këtë unë i kërkova koordinatorit që ta zëvendësonte me një tjetër arbitër. Koordinatori deklaroi se kjo bëhet vetëm me urdhër të presidentit, z.Trebicka. Bisedova me këtë të fundit dhe u dakorduam, duke na vendosur një tjetër arbitër. Por çfarë na ndodhi më vonë? Mësojmë që koordinatori ishte shkarkuar nga z.Avni Ponari. Tani ky kompeticion Shqipëri-Kosovë varet nga liga apo nga z.Ponari?! Nuk i mjaftoi presidentit të FSHB-së emri Unika (Uniqa) i firmës së tij, por tani kërkon të sundojë edhe Ligën Mbarëkombëtare ashtu siç sundon Federatën Shqiptare të Basketbollit.

Pra, ju thoni që kemi ndërhyrje nga kreu i FSHB-së në Ligën Unike?

Sigurisht, këtu kemi të bëjmë me ndërhyrje flagrante. Për derisa ai merret me arbitrat më lind e drejta direkt të pyes se çfarë interesi ka që merret me emërime dhe shkarkime gjyqtarësh?!

Cili është konkluzioni, sipas jush, i këtyre ndërhyrjeve?

Atëherë, duke parë këtë mënyrë të vepruari, unë mendoj që janë të vërteta fjalët që qarkullojnë, që ndeshjet trukohen dhe manipulohen. Pas fjalëve trukim apo manipulim, vjen edhe konkluzioni logjik… A marrin pjesë ndeshjet tona në baste? Nga të gjithë specialistët që kemi pyetur na kanë thënë që po. Atëherë, mos ka diçka këtu që nuk shkon dhe që kërkohet të menaxhohet në mënyrë të njëanshme… sepse kjo sjell shumë pasoja, e para nuk kemi drejtësi në gjykimin e ndeshjeve. E dyta, ne jemi një shoqatë e pavarur basketbolli, që aderojmë dhe kontribuojmë në federatë, sipas kuotave të caktuara. Gjithashtu, kemi të drejtën tonë edhe të refuzojmë dhe jo vetëm të bindemi. Në fund të fundit, në raporte, nuk kemi pse të marrim ne urdhra arbitrarë nga njerëz që nuk japin asnjë kontribut për basketbollin, përkundrazi kanë përfitime nga ky sport kaq i bukur dhe kërkojnë të ndërhyjnë në mënyra nga më të shëmtuarat.

A po ia arrin qëllimit Liga Unike për të bashkuar dy vendet?

Liga Unike është një sakrificë e përbashkët për të bërë diçka mbarëkombëtare, që, për fat të keq, vetëm emrin mbarëkombëtare nuk e ka. Për të kontribuuar në afrimin e dy federatave, ekipeve dhe shkëmbimin e eksperiencave, pse jo, edhe në shkëmbimin e lojtarëve. A po ia arrijmë qëllimit? Mendoj që këtu ka probleme. Përveç shpenzimeve, ngarkesës psikologjike dhe gjithë kohës e harxhuar, tani marrim edhe stres, sepse vijnë jeniçerët e z.Avni Ponari apo të z.Korab Llazani dhe të prishin ndeshjet.

Edhe një herë në rastin konkret, cilës ndeshje i referoheni?

Rasti më flagrant ishte ndeshja e fundit që patëm kundër Kamzës në Ligën Unike. Dihet që administrator i atij ekipi është sekretari i federatës. Madje, të gjitha këto demonstrime antisportive të arbitrave u bënë në prezencën e z.Ponari dhe z.Llazani. Në një moment raporti i faulleve ishte dyfish kundër nesh. Kuptohet që në fituam sepse diferencat janë shumë të mëdha dhe arbitrat nuk arritën ta kompensojnë këtë hendek mes skuadrave. Në këtë takim patën një revoltë shumë të madhe edhe të publikut, i cili e shoqëroi të gjithë ndeshjen me vërshëllima dhe akuza ndaj arbitrave dhe me gjerë.

Sipas jush, çfarë duhet rregulluar në mbarëvajtjen e Ligës Unike?

E para dhe më kryesorja, Liga Unike duhet të jetë një institucion i pavarur. Federatat përkatëse nëse janë të zonjat le të kontribuojnë, për zhvillimin normal të këtij eventi, në të kundërt nuk duhet të fusin hundët për të prishur punët në këtë kompeticion. Duhet patjetër që arbitrat të hidhen me short dhe të shpallen dy ditë para ndeshjeve, në mënyrë që ekipet nëse shikojnë që ka tendenca, për të futur gjyqtarë që janë me probleme në raporte me ekipet apo arbitrimin, të kenë të drejtë t’i largojnë. Një qytetar i thjeshtë, kur i drejtohet gjykatës, ka të drejtë të refuzojë gjyqtarin. Pse ne nuk e paskemi këtë të drejtë? Nëse gjyqtari ka mbrojtjen e federatave përkatëse, atëherë ai thotë: “Nuk më bëhet fare vonë për ekipet, sepse ndeshjet i kam të garantuara. Gjithashtu më japin të gjitha privilegjet, më bëjnë arbitër ndërkombëtar etj.” Por kjo nuk ka të bëjë me moralin e sportit. Basketbolli ka lindur si sporti i studentëve dhe është sport intelektual. Por, të bësh një sanduiç intelektual me injorancën në mes, është ku thërret qameti. Prandaj kërkesa ime është që duhen rregulluar urgjentisht marrëdhëniet e Ligës Unike si një institucion i pavarur. E gjitha kjo duhet të jetë një mësim për arbitrat, të cilët duhet të kuptojnë që varen nga ne që paguajmë dhe jo nga ata që përfitojnë nga basketbolli.

Çfarë do të ndodhë nëse kërkesa juaj nuk merret parasysh?

Ne do të rishikojmë qëndrimin tonë në Ligën Unike. Ne nuk marrim pjesë në këtë kompeticion për të marrë ngarkesa negative, por për të kontribuuar. Nëse do të mbesim tek antibasketbolli, atëherë nuk ia vlen që të marrësh pjesë në një event të tillë dhe sigurisht që mund të shkojmë deri në tërheqje nga gara. Unë ende edhe sot e kësaj dite nuk e kam firmosur kontratën me Ligën Unike…

Kur flisni për ndërhyrje, këtu i referoheni vetëm Federatës Shqiptare?

Gjithmonë po flas për palën shqiptare, sepse në fund të fundit edhe ndeshja që pati kulminacionin e një arbitrimi monstruoz, ishte ndërmjet dy ekipeve të Shqipërisë dhe me tre arbitra shqiptarë. Nëse bëhet fjalë për një ligë të përbashkët, të paktën duhet të ishin 1 ose 2 arbitra nga Kosova. Këtu kemi të bëjmë me një problem shumë të rëndësishëm dhe të rëndë, sepse në asamblenë e fundit kur u rimandatua z.Ponari, doli me premtimin që do të rregullojë statutin. Dhe një nga pikat më kryesore të statutit është problemi i arbitrave, por kjo marrëdhënie nuk po rregullohet. Përderisa nuk po rregullohet diçka që është jetike për zhvillimin e basketbollit dhe garave të drejta e të ndershme, atëherë ky sport do të kthehet në një kazino.

Teuta ndodhet në vend të parë si në Ligën Unike ashtu edhe në kampionat, por kjo gjë nuk ju ka penguar të denonconi problemet…

Zbatimi i ligjshmërisë, klima dhe atmosfera e basketbollit vlejnë më shumë sesa një titull. Kjo nuk do të thotë që unë jam humbës dhe po largohem si humbës. Unë jam një njeri që kontribuoj për basketbollin, kam një ekip domethënës që po luan mirë dhe nuk kam pse të ngarkoj me stres as lojtarët, as veten dhe as tifozërinë që na ndjek me aq vëmendje e pasion.

Shkruani koment:

Ju lutem shkruani koment.
Ju lutem shkruani emrin tuaj.