Policia në Rahovec rëndom bën punë të mirë, por ka prej atyre zyrtarëve policorë që tentojnë të respektojnë ligjin me standarde të dyfishta, ndryshe për shtresën e mesme e cila dënohet edhe pse pa punë dhe pa të ardhura, e ndryshe për biznesmenë, djemt e tyre dhe politikanë të fuqishëm ndaj të cilëve asnjëherë nuk shqiptohen dënime edhe pse e shkelin ligjin.
Ka tash e disa ditë që polici me iniciale M.V. (emër i njohur për redaksinë) patrullon në këmbë në rrugën Gëzim Hamza, aty ku parkimi është i vështirësuar nga fluksi i madh i njerëzve.
Edhe pse polici në fjalë pa ndonjë urdhër të veçantë tenton të respektojë ligjin, ka ankesa nga qytetarë se zyrtari policor po dënon në mënyrë selektive parkuesit e veturave.
Një qytetar në kushte anonimiteti ka treguar për Rahoveci24 se çfarë ndodhi gjatë ditës së sotme.
“Polici në fjalë për tendenca personale del dhe patrullon në një rrugë, ku parkimi është bërë njëjtë në tri vitet e fundit. Personalisht jam dënuar me 25 euro, vetëm pse kam parkuar veturën njëjtë sikurse në tri vitet e fundit. Jam i vetdishëm për gabimin, por këtë gabim e ka bërë edhe një i biri i biznesmenit të fuqishëm të Rahovecit dhe disa personalitete tjera, që ky polic i ka falur dhe nuk ka guxuar t’i dënojë. Ligji duhet të respektohet, por njëjtë për të gjithë, e jo të dënohen vetëm ata që nuk kanë baballarë të pushtetshëm. Unë do të ankohem për rastin në inspektoriatin policor, aty do t’i sqargoj gjërat”, shprehet personi në fjalë i dënuar nga policia në kushte anonimiteti (emër i njohur për redaksinë).
Rahoveci24 me të marrë informatën ka dalë në rrugën në fjalë, ku edhe ka evidentuar selektivitetin e policisë, ku vetura të ndryshme parkohen dhe zënë trotuarin, e nuk dënohen, teksa ngasës të tjerë pa asnjë vend pune që realizojnë transportin për nevojat e tyre familjare dënohen edhe për kafshatën e tyre të bukës.
Ky nuk është rasti i parë flagrant i këtij lloji në Rahovec, ku policia përdor selektivitet, e ku i dobëti gjithmonë paguan.
Rahoveci24 do të angazhohet në ditët në vijim për të siguruar fakte të reja se si polici në fjalë dhe të tjerë zyrtarë policorë përdorin selektivitet ndaj personave që kanë baballarë të fuqishëm, apo janë personalitete që kanë fuqi financiare, e të cilët falen nga policia, kurse dënohen persona pa asnjë vend pune dhe familjarë që dalin për kryerje të punëve të përditshme.
Në këtë rrugë ekzistojnë probleme më të mëdha se parkingu, është shpejtësia e madhe e veturave, rrahjet, vjedhjet e vrasjet që po ashtu kanë ndodhur në Rahovec e që kurrë nuk janë zbardhur. /Rahoveci24/