Në Gjykatën Themelore të Gjakovës, dega në Rahovec, ka vazhduar seanca e rigjykimit në rastin e Antigona Morinës, raporton KTV.
Dëshminë e tyre e kanë dhënë pesë dëshmitarë, mes tyre edhe e ftuara e Gjykatës, ekspertja e Gjinekologjisë, Flora Belegu – Spahija. Por në momentin kur radhën e kishte të përgjigjej gjinekologia, me propozim të prokurorit, gjykatësja Ilirjana Hoti, e nxori jashtë publikun.
Se çka deklaroi brenda në seancë gjinekologia, e tregoi mbrojtja e palës së dëmtuar, sipas së cilës, sikur Antigona të dërgohej te mjeku me kohë, nuk do të pësonte me vdekje. Sipas avokates mbrojtëse, mjekja ka deklaruar se rastet e ngjashme pothuajse çdo ditë kanë kërkuar ndihmë mjekësore por kanë arritur t’i shpëtojnë.
Gjykata e Apelit kishte vendosur për rigjykim të këtij rasti.Hilmi Zena, ish-bashkëshorti i Antigona Morinës, akuzohet se ka kryer veprën penale të moskryerjes së detyrimeve familjare. Ai nuk e kishte dërguar te mjeku të ndjerën kur ajo pësoi hemorragji. Pavarësisht gjendjes së rënduar, është konstatuar se ai vazhdonte marrëdhëniet seksuale me të.