Përkujtohen 241 martirë në fshatin Krushë të Madhe

Me akademi përkujtimor, sot në fshatin Krushë të Madhe të Komunës së Rahovecit, u shënua 17- vjetori i 241 të vrarëve dhe të masakruarave nga forcat serbe, në këtë masakër nuk u kursyen as gratë, fëmijët dhe pleqtë.

Në akademinë përkujtimorë, morën pjesë z. Idriz Vehapi, kryetar i Komunës së Rahovecit, z. Avdullah Hoti, Ministër i Financave në Qeverinë e Kosovës, z.Rexhep Hoti, zv. MKRS-së, z.Ramadan Hoti, nënkryetar i Komunës së Gjakovës, z Vajdin Berisha, kryetar i OVL e UÇK-së në Rahovec, z.Prenk Gjetaj, kryetar i komisionit qeveritar për të pagjetur, familjar të të rënëve, dhe deputet të Kuvendit të Kosovës.

Në emër të këshillit organizativ të fshatit Krushë e Madhe, fjalën e mori z.Selami Hoti, kryetar i këshillit fshatit i cili në fjalën e tij tha se sot jemi mbledhur këtu për të përkujtuar veprën sublime të Dëshmorëve dhe Martirëve Krushjan, të cilët para 17-viteve, ranë për të mos vdekur kurrë . Lirinë që e gëzojmë sot, është falë Krushjanëve që ranë në altarin e lirisë, këta janë meritorët, këta janë themeli, këta janë arsyeja dhe njëra nga vulat e pavarësisë së Kosovës, pavarësi e cila u vulos me gjak.

Kryetari i Komunës së Rahovecit z. Idriz Vehapi, në fjalën e tij të mbajtur sot në akademinë përkujtimor në shenjë respekti për 241 të rënët në fshatin Krushë të Madhe tha se muaji mars na sjellë në kujtesë ditët me të vështira të historisë sonë të re për të gjithë Kosovën, e sidomos për Komunën tonë , e cila fundin e muajit mars të vitit 1999 e përcolli më shumë dhimbje. Ky muaj , na rikthen emër për emër në kujtesë ata që nuk janë më mes nesh, ata me jetën e tyre vunë themelet e shtetit të Kosovës. Prandaj, jemi mbledhur sot përsëri, tˈi kujtojmë së bashku djemtë dhe burrat e Krushës së Madhe.

Nga një fjalë rasti mbajtën edhe Ministri i Financave z. Avdullah Hoti, z. Vajdin Berisha kryetar i OVL e UÇK-së dega në Rahovec dhe z.Prenk Gjetaj, kryetar i komisionit qeveritar për të pagjetur.

Aktivitete përkujtimore në shënimin e 17-vjetorit të të vrarëve dhe të masakruarave, kanë vazhduar me hapjen e ekspozitës në Qendrën Rinore në Krushë të Madhe me foto nga masakra e bërë nga serbet në vitin 1999.

Kurse po sot në ora 17:00 në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë në Prishtinë shfaqet premiera e filmit dokuementar “Dëshmit e Heshtura” autor Prof Dr. Nusret Pllana, regjizor Luan Kryeziu.

Ndërsa me datë 27.03.2016 e dielë ora 18:00 në Shtëpinë e Kulturës në Krushë e Madhe shfaqet filmi Dokumentar “Dëshmitë e Heshtura”.
perkujtim 1

perkujtim 2

perkujtim 3

perkujtim 4

perkujtim 5

Shkruani koment:

Ju lutem shkruani koment.
Ju lutem shkruani emrin tuaj.