KB Rahoveci mësoi kundërshtarin e parë e që do të jetë Ylli në shtëpi më 10/11 shtator, por menjëherë më pas është ndeshja tjetër ndaj Vëllaznimit, që për shumë kë është duel direkt i skuadrave që do të kërkojnë mbijetesën.
Ndeshja zhvillohet në palestrën “Shani Nushi” në Gjakovë në javën e dytë të kampionatit.
Fillimisht u mendua se Vëllaznimi është prej skuadrave më të konsoliduara, pasi shpejt mori pesë lojtarë të huaj në ekip, krahas disa vendorëve kryesisht vendas që i ka në ekip.
Përgatitja e hershme, angazhimi i trajnerit Franko Sterle dhe të huajt që erdhën me shumë bujë e bënë të duken Vëllaznimin tejet të rrezikshëm, megjithatë, situata është krejt ndryshe.
Vëllaznimi tashmë ka telashe me të huajt ku njëri prej tyre është larguar. Ndërkaq, pas stërvitjeve dhe miqësores së parë, dhe duke parë përforcimet e klubeve tjera, në Gjakovë besojnë se edhe të huajt tjerë nuk janë mjaft kualitativ dhe përpos zëvëndësimit të të larguarit, po kërkojnë edhe të tjerë lojtarë për t’i zëvëndësuar ata aktual, edhe pse kjo do të jetë tashmë e vështirë.
Aktualisht rosteri i Vëllaznimit përbëhet nga: Rron Dahsyla, Don Polloshka, Atik Koshi, Burim Zekiqi, Arbër Sinani, Shendrit Llapi, Preston Knowles (do të largohet), Will Brown, Damonte Dodd, Jordan Notch, Jordan Harris – kurse priten edhe shumë ndryshime. Klubi gjakovar u fokusua te të huajt, duke marrë vendorë të rinj me potencial, por siç po shkon situata, trajneri Sterle është i bindur se i duhen lojtarë më kualitativ dhe tashmë ka larguar lojtarin e parë nga rosteri, e priten ndryshime tjera te të huajt.
Këtë situatë më së miri mund ta përfitojë Rahoveci, që në javën e dytë i shkon Vëllaznimit në Gjakovë – dhe në këtë ndeshje Rahoveci mund të shkojë për të bërë fitoren e dytë rresht duke parë kualitatin e vendorëve të vet dhe të huajt fantastik të përzgjedhur.
Pasi Ylli ka angazhime në Evropë, Rahoveci mund ta shfrytëzojë këtë rast dhe të triumfojë bashkë me publikun vendas në javën e parë, e në javën e dy të t’i shkojë Vëllaznimit në Gjakovë për ta befasuar, duke ditur edhe të huajt kualitativ dhe vendorët e mirë që i ka Rahoveci në dispozicion.
Muja konfirmoi se deri në fund të javës do të kompletohet ekipi dhe Rahoveci24 mëson se vetëm gjatë ditës do të ketë prezentime të reja, me të gjitha përforcimet që do të jenë në Rahovec më së largu deri të hënën.
Të presim Trepçën në shtëpi me dy fitore rresht të arritura në dy ndeshjet e para të kampionatit, do të ishte motiv fantastik që do të ndikonte shumë në shkaktimin e një befasie bashkë me publikun vendas ndaj skuadrës më të përforcuar, mitrovicase plot ambicie për trofe.
/Rahoveci24/