KB Rahoveci pësoi humbjen më të thellë në vitet e fundit kur vizitoi Pejën të dielën.
Ndeshja përfundoi 101-80 në të mirë të pejanëve ku më të mirë ishin pejanët vetëm në pjesën e dytë, pas një pjese të parë impresive nga Rahoveci, sidomos në fazën e sulmit.
Rahoveci ndeshjen e ardhshme pret Bashkimin në “Mizahir Isma”, me skuadrën prizrenave në formë të mrekullueshme pasi mposhti Yllin dhe çoi në dy vazhdime Prishtinën .
Klubi nga ana e vet nuk ka ndonjë plan – Josh Green i sapo ardhur do të kthehet në shtëpi pas lëndimit të rëndë të pësuar, teksa pikëpyetje mbetet situata e Davis, pasi sipas mediave nacionale ai pritet të largohet, gjë që klubi nuk e ka konfirmuar.
Klubi nuk po mendon shkarkimin e Takianos, por ky i fundit ka kohë që po e shqyrton largimin.
“Takianos është afër që të largohet. Atij i ka ardhur në maje të hundës gjithçka. Nuk po shkon asgjë. Tashmë ka biseduar me shumë persona se ka vendosur të largohet. Mirëpo, klubi po kërkon që ai të qëndrojë. Problem mbetet edhe fakti se kontrata e tij është parapaguar deri në janar. Por, parapagesa nuk është arsye pse klubi dëshiron të mos e lejojë Takianos të largohet. Klubi nuk po arrin të gjejë një person adekuat për të marrë në dorë ekipin e parë. Ilmen Bajra po refuzon të marrë në dorë ekipin si kryetrajner pasi konsideron se situata është e pamenaxhueshme, kurse opsioni më kredibil Muhamed Muja – Thaçi është shumë afër nënshkrimit me Yllin që veç se ka vendosur për shkarkimin e Adis Beciragic. Puna është llugë, sepse edhe nëse Rahoveci mendon për Beciragic, paga e tij prej 5500 eurosh mbetet problem për klubin tonë”, u shpreh një burim brenda klubit për portalin Rahoveci24.
Një gjë që dihet është se Rahoveci po luan me mbrojtjen më të dobët në histori të klubit me 280 pikë të pranuara në tri ndeshje të zhvilluara, njëra prej tyre ndaj Dritës.
Klubi është i qetë për momentin dhe nuk dëshiron të marrë veprime të nxituara, por të gjithë sytë janë të drejtuara kah presidenti i klubit, Alban Rama.
/Rahoveci24/