Sa herë përmendet palestra secilit prej nesh fillon t’i humbë buzëqeshja. Objekti në zemër të qytetit është arteria e sportit e cila po bllokohet dita ditës dhe që mund të rezultojë me fatalitet, një infarkt për të ardhmen sportive dhe të të rinjve të komunës së Rahovecit.
Shkruan: Arnolld Korenica
Siç edhe tashmë e dimë, për të tretën herë është anuluar tenderi për fazën e fundit të palestrës në Rahovec. Deri tash, ky projekt ka qenë një pre atraktive për ujqërit e uritur për korrupsion dhe faza e tretë nuk është më ndryshe. Mjafton të krahasoni planin e paraparë dhe punimet që janë bërë për të kuptuar se çka është bërë me atë objekt. Tash, si një çerdhe e narkomanisë dhe fenomenve negative, objekti që parashihet të jetë vatër e sportit dhe e të rinjve nuk dallon së qenuri ajo që ka qenë deri tash, një pre joshëse për korrupsion.
Cila duhet të jetë arsyeja tjetër për anulimin tri herë të tenderit për fazën e fundit?
Kryeministri Ramush Haradinaj të gjitha këto i di më mirë se unë, më mirë se ju. Ai tashmë mund të jetë informuar nga këshilltarët e tij për anulimin e tenderit nga ministria e sportit.
Kryeministër, besoj se çdo fundjavë e shijon kohën në Gllogjan, aty ku ndihesh më së miri. Unë dhe mijëra qytetarë të tjerë që jetojnë dhe veprojnë larg nga vendlindja preferojmë që po ashtu fundjavën ta kalojmë në Rahovec dhe jo në Gjakovë, nga se një prej dashurive të mëdha sportive, klubi i basketbollit, zhvillon ndeshjet në Gjakovë e gjetiu si azilant në kërkim të fatit. Fundjavën time dua ta shijoj në Rahovec, duke shikuar klubet e të rinjt teksa zhvillojnë aktivitetin në shtëpinë e tyre të sporteve, në arenën tonë shumë të dashur.
Nëse nuk të kanë informuar këshilltarët, vetëm fundjavën e kaluar Rahoveci theu rekord për këtë vit duke mbledhur mbi 2 mijë shikues në Gjakovë. Të gjithë këta udhëtuan. Edhe unë udhëtova. Por, tashmë jam lodhur. Nëse kjo nuk ishte protesta më e mirë për ju, çka mund të jetë tjetër?
Klubi i basketbollit aktualisht është në prag të një playoffi të parë historik, pa palestër dhe me buxhet minimal. Pyete këshilltarin tënd, Erolld Belegun, ai do të të tregojë në detaje për klubin e Rahovecit, por mos e dëgjo kur do të të thotë se duhet ri-hapur tenderi dhe s’mund të përfundohet projekti. Klubi i basketbollit tashmë ka konfirmuar se do të votojë kundër Arben Fetahut për kryetar të federatës, pra do të votojë kundër njeriut të Erolld Belegut dhe këtë do ta bëjë me plot të drejtë nga se Belegu në kohën e tij bëri gjithçka tjetër pos ndihmoi Rahovecin duke dënuar me piunët e tij sa herë kishte dëshirë klubin plot vështirësi e sakrificë, e duke mos ofruar as një ndihmë të vetme.
Mos e dëgjo këshilltarin tënd kur do të të thotë se nuk mund të përfundohet palestra sepse atij nuk i përshtaten kalkulimet personale – DËGJO zërin e qytetarëve të Rahovecit, të cilët t’a dhanë besimin në qershor dhe në tetor, dy herë rresht, e që është hera e dytë që ky besim të ofrohet pas një zhgënjimi fillestar në mandatin e parë trevjeçar të Smajl Latifit.
Rahoveci ishte komuna e pestë më e suksesshme e PAN-it, koalicion prej të cilit dole kryeministër. Në Rahovec vjen shpesh, sa në konakun e Stone Castle, e sa te miqtë tjerë tu, andaj është e udhës që lidhja jote me Rahovecin të jetë e fortë dhe e pakontestueshme, si rrjedhojë edhe besimi i ndërsjellë.
Dëgjo zërin e qytetarëve të Rahovecit, të cilët të zhgënjyer e të lodhur nga pritja shumëvjeçare shpresën e vetme e kanë te ti si një burrë dukagjinas dhe atdhetar i cili vlerëson fjalën e besën më shumë se çdo gjë tjetër. Rahovecianët ta dhanë fjalën, e ta dhanë edhe besimin, ata nuk duan asgjë tjetër, pos përfundimit të palestrës.
Në konturat e makro ambienteve mund të duket një gjë shumë e vogël për ju përfundimi i arenës tonë, mirëpo përfundimi i saj do të ishte respekt shumë i madh për besën e dhënë nga rahovecianët një herë në qershor, e sërish edhe në tetor në dy procese të vështira zgjedhore.
Rahovecianëve t’ua shkelësh besën është vështirë ta ri-fitosh sërish, dhe pikërisht ti e di këtë më mirë se sa homologët tuaj të së kaluarës dhe partnerëve të së tashmes.
Po kthehem pak te shoqëria civile, e cila ishte një shoqëri kryekëput politike. Disa përfunduan në poste drejtuese, e disa të tjerë i si arinjtë në dimër i ka kapluar gjumi dimëror prej të cilit s’ka kush t’i zgjojë. Çfarë dëshpërimi dhe turpi.
Nuk pretendoj të jem apostul dhe ikonë e shoqërisë civile. Por, gjithnjë kam shkruar e vepruar për problemin e palestrës kundër të gjitha sistemeve qeverisëse që kanë pasur rastin dekadën e fundit të qeverisin me vendin. Jam rritur me problemin e palestrës, sepse kur filloi ndërtimi isha 14 vjeç, me ëndrrën e shuar prej një basketbollisti. Teksa po shkruaj, nuk mund të besoj se kanë kaluar dhjetë vjet e dhimbjen më të madhe vazhdojmë ta kemi në zemrat tona dhe në zemër të qytetit. Kjo rrezikon të ndodhë me gjeneratat tjera që tash po shkëlqejnë në shkollën e basketbollit të Rahovecit.
Për mua, kryetarët Idriz Vehapi dhe Smajl Latifi janë të njëjtë. I vlerësoj për punën apo mos punën. Dëshira e tyre për të zgjidhur këtë enigmë shumëvjeçare është e pakontestueshme, por mundësitë e tyre ishin dhe vazhdojnë të jenë të vogla.
Po të kthehem ty zotëri kryeministër. Gjithçka është në dorën tënde. Pas anulimit të tenderit për herë të tretë, hapja e një raundi të ri nuk ka më kuptim. E ke mundësinë ultimative për t’u shndërruar në një ikonë të zgjidhjes së një enigme shumëvjeçare që me pa durim pritet në qytetin që ti viziton shpesh.
Nënshkruaje vendimin që lejon ministrinë e sportit të negociojë fazën e fundit të punimeve. Ka vështirësi në këtë proces. Ti e di për çka e kam fjalën, por mbylle njërin sy ashtu siç ke bërë shpesh për të mirën e vendit. Nënshkruaje atë vendim dhe bëhu heroi i vërtetë në zemrat e të rinjve.
Në të kundërtën, lejo që ai objekt të bëhet rrafsh me tokë, që t’i kthejmë kohërat e vjetra ku në betonin e keq, por plot dashuri kalonim mbrëmjet duke luajtur, e ky turp i pafundmë të ketë një fund dhe jo pafundësi.
E di se do të të njoftojnë për këtë opinion në kontekst negativ, dhe do të të thonë që të mos më përgjigjesh. Ky nuk është synimi im, fare mos mu përgjigj, thjeshtë nënshkruaje vendimin dhe le të përfundohet ky projekt. Të gjithë do të jemi të lumtur…
#kryjeniPALESTRËN