KB Rahoveci ka ndërmarrë një aksion masiv të s’pastrimit të ekipit, mëson Rahoveci24.
Burimet e sigurta të portalit bëjnë të ditura se KB Rahoveci ka vendosur të largojë të gjithë amerikanët, përpos Milik Yarbrough dhe TJ Dunans.
Emret e të larguarve as që vlen të përmenden për shkak të performancave të tyre të dobëta, teksa dështimi në Kupën e Kosovës dhe disfata e keqe nga Trepça ka ndikuar shumë në disponimin e zyrtarëve të klubit të cilët po bëjnë të pamundurën për të kthyer klubin kah e mbara.
Përpos tjerash, trajneri Ljupce Malinkov, ka kërkuar fokus të plotë nga ekipi, ndërkaq është punuar edhe në aspektin disiplinor pas problemeve të brendshme të shfaqur gjatë ndeshjes ndaj Trepçës.
Rahoveci24 mëson se klubi është shumë afër dy transferimeve bombastike në dy pozita, organizator dhe qendër, emrat e të cilëve tashmë i di, por për shkak të natyrës së ndjeshme nuk do të zbulojë emrat e lojtarëve.
Po të njëjta burime konfirmojnë se superylli playmaker do të vijë qysh të premtën në Rahovec për t’u bërë gati për ndeshjen ndaj Yllit që zhvillohet me 2 mars, e me këtë lojtar, sigurisht se Rahoveci ka gjasa të shtuara ta mposhtë skuadrën nga Suhareka.
Rahoveci është në luftë të ashpër me Bashkimin për të siguruar një vend në playoff dhe për këtë duhet të mposhtë skuadrat e mëdha në shtëpi dhe në ndeshjen vendimtare të mbetur direkte ta mund Bashkimin në Prizren.