Kryetari i komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, nuk e ka shumicën absolute në Kuvendin e Komunës së Rahovecit edhe pse ju afrua një numri të tillë.
Fillimisht kryetari i zgjedhur tha se ka 13 dhe se po kërkon asambleistin e 14-të, kurse në fund përfundoi me asamblistin e 12-të.
7 asamblistë i ka Lëvizja Vetëvendosje, 6 i ka PDK dhe 6 i ka LDK.
Për të qeverisur dhe për të kaluar projektet në Kuvendin Komunal partisë së tij AAK i duhet së paku edhe një nga tre subjektet e mbetura.
Teksa Lëvizja Vetëvendosje mbetet e palëkundur në qëndrimin opozitar tash e shumë vite dhe vetëm sa do të intensifikojë këtë aktivitet opozitar, nuk pritet ndonjë bashkëpunim, edhe pse në VV ende s’kanë dalë me qëndrim.
Nga ana tjetër edhe LDK sikur VV me Burim Krasniqin janë të vendosur për të qëndruar në opozitë, por qëndrimi neutral në balotazh në një farë mënyre favorizoi kryetarin aktual që të marrë mandatin, megjithatë Krasniqi mbetet i përcaktuar për të qëndruar opozitë përkundër “neutralitetit” të tij në balotazh.
Në anën tjetër afërsia më e madhe e AAK-së është ajo me PDK-në.
Koalicionet e këtyre dy subjekteve në komunat tjera dhe “afërsia ideologjike” me Latifin siç thonë në PDK kundër VV-së së Albin Kurtit, ndikoi që PDK t’ia zgjasë dorën Latifit me strukturat partiake – përpos strukturave të qytetit nga PDK që qëndruan neutrale në këtë balotazh.
Ajo çka preferon Latifi për momentin është që të qeverisë i vetmuar, me shpresën se asamblistët sikur mandatin e kaluar do t’ia votojnë projektet me rëndësi për qytetarët, por kësaj radhe nuk e ka më asamblenë që e ka pasur.
Latifi do të ballafaqohet me opozitë më të fortë dhe do të duhet që patjetër të bëjë ndarjen e pushtetit për të qeverisur.
Pa dyshim në krye të listës për AAK është PDK, ani pse këto dy subjekte luftuan për 10 vite me njëra-tjetrën për pushtet.
Para se të fillojë me ofertat, Latifi po shter të gjitha mundësitë për të qeverisur i vetmuar me njerëzit e tij, duke peshkuar tashmë nëpër parti tjera për asamblistë të ndryshëm ashtu siç bëri mandatin e kaluar. Mbetet të shihet nëse do t’ia dalë t’ia rrëmbejë ndonjë prej subjekteve asamblistët.
Mbetet të shihet, megjithatë Latifi do të jetë nën zjarrin e opozitës nëse nuk e ndan pushtetin dhe vazhdon të qeverisë i vetëm duke aplikuar një autokraci sikurse që bëri mandatin e kaluar. /Rahoveci24/