Kryetari i ri-zgjedhur i komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, nuk është duke u nxituar që të fillojë mandatin e tij të ardhshëm 4-vjeçar.
Pasi humbi mundësinë për të vendosur njeriun e besueshëm të tij në krye të Kuvendit Komunal, falë unifikimit të opozitës.
Megjithatë, ai u kundërpërgjigj ndaj partisë më të madhe opozitare duke marrë në radhët e veta një nga figurat më të vjetra të VV-së në Rahovec, Shqipe Kryeziun.
Pas gjithë kësaj që ndodhi, sërish mendohet se Smajl Latifi nuk ka vota për t’i çuar përpara projektet e tij.
Kjo duket se po e vonon Latifin që të shpallë përbërjen e tij të kabinetit të qeverisjes komunale.
Sipas informacioneve të Rahoveci24, Smajl Latifi ka dilema në disa drejtori, kurse po ashtu po pret konfirmimin e disa asamblistëve të partive tjera, të cilët nuk po heqin dorë.
Sipas po këtyre burimeve, asamblistë të PDK-së dhe LDK-së nuk po lëshojnë pe, teksa nuk janë as të interesuara për të bashkëqeverisur me Latifin. Për VV-në, dihet se nuk lëkundet në drejtim të pushtetit – së paku jo për asamblistët e mbetur.
Mbetet të shihet kush do të jenë drejtorët në përbërje edhe pse tashmë po hymë në vitin e ri pa qeverisje lokale. /Rahoveci24/