Nora Boshnjaku dhe Ali Morina emrat e rinj të kabinetit të Smajl Latifit

Smajl Latifi ka filluar prezantimin e kabinetit të tij qeverisës komunal përkundër faktit se nuk ka koalicion.

Latifi po qëndron stoik në vendimin e tij për të mos lidhur koalicione përkundër faktit se nuk i ka numrat në Kuvendin Komunal të Rahovecit pasi opozita nuk po tregon shenja të luhatjes po ashtu nga parimet e tyre.

Kjo nuk e ka zmbrapsur kryetarin e rizgjedhur të Rahovecit që të fillojë me prezantimin e kabinetit të tij.

Ndër emrat e parë të rinj që dihen se do të jenë pjesë e kabinetit të Latifit janë njerëzit besnik të tij, Nora Boshnjaku dhe Ali Morina.

Nora Boshnjaku do të udhëheqë me drejtorinë e Inspektimeve, kurse Ali Morina do të jetë shef i kabinetit të Smajl Latifit.

Nga emrat e kaluar i konfirmuar mbetet Berat Duraku, i cili vazhdon punën edhe për një mandat në drejtorinë e bujqësisë, duke parë edhe votën popullore që ka marrë nga qytetarët e komunës së Rahovecit, të cilët kanë vlerësuar punën e drejtorit krushjan.

Ndryshime pritet të ketë në dikastere tjera, si në drejtorinë e Financave dhe në drejtorinë e Sportit, me emrat e rinj që pritet të prezantohen shumë shpejt nga Latifi pasi drejtorët e kaluar nuk pritet të vazhdojnë.

Ende nuk dihet kush do të jetë drejtor i Urbanizmit, pasi tashmë Rumir Zhuniqi konfirmoi se do të mbetet vetëm si asamblist përkundër kërkesës nga kryetari për të vazhduar si pjesë e kabinetit.

Mbetet të shihet kush do të jenë emrat e mbetur të kabinetit qeverisës së Latifit, teksa po ashtu mbetet të shihet si do t’ia dalë që të kalojë projektet në Asamblenë Komunale, ku priten beteja të mëdha mes tij dhe opozitës.

/Rahoveci24/

Shkruani koment:

Ju lutem shkruani koment.
Ju lutem shkruani emrin tuaj.