Njësiti i Zjarrfikësve në Rahovec, plot 17 vjet pas lufte ka punuar në kushte jo shumë të volitshme në mungesë të automjeteve për shuarjen e zjarrit, por situata është përmirësuar dukshëm , sidomos prej vitit të kaluar, kur këtij Njësiti Zjarrfikës i cili vepron pranë Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, iu janë dhuruar tri automjete për shuarjen e zjarrit, të pajisura komplet me elemente përcjellëse dhe të nevojshme.
Këtyre ditëve, kësaj Drejtorie iu ka arritur edhe një donacion shumë i vlefshëm nga Ministria e Punëve të Brendshme të Kosovës, gjegjësisht Agjencinë për Menaxhim të Emergjencës, automjet për shuarjen e zjarrit me kapacitet prej 9 mijë litra ujë.
Drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Bislim Morina, thotë se është e vërtetë se Njësitit Zjarrfikës deri në dy vjet të fundit i mungonin automjete për shuarjen e zjarrit, por me këtë donacion të fundit, automjet me kapacitet prej 9 mijë litra ujë, janë përmbushur nevojat për veprime dhe punë efikase.
Ky donacion ka përparësi se automjeti me këtë kapacitet është i pajisur që të furnizoj edhe automjete tjera me ujë në rast nevoje, ndërkaq duhet cekur se brenda javës presim edhe një donacion, pajisje personale për zjarrfikësit. /Rahoveci24/