Në Rahovec u shënua dita e lirisë së shtypit dhe medias, Rahoveci24 merr mirënjohje (Foto)

Gazetarinë e ushtron ai që e dëshiron dhe me posedim të prirjes – Kështu u tha në tryezën e organizuar për herë të parë në Rahovec, nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport, në krye me drejtorin Gardalin Shtavica, me rastin e shënimit të 3 Majit, Ditës Ndërkombëtare të Lirisë së Shtypit, ku panelistët ishin Jusuf Bytyçi, gazetar dhe reporter i luftës, Vjollca Gurgule, gazetare, Arnolld Korenica, redaktor i portalit Telegrafi, Shaip Shala gazetar veteran.

Qemajl Krasniqi, zyrtar i Drejtorisë për KRS, thotë se nga Kombet e Bashkuara 3 Maji është caktuar si Ditë Ndërkombëtare e Lirisë së Shtypit, duke thënë në vazhdim se gazetarët në punën e vet përballen me plot sfida, dhe mu është caktuar Dita për mbrojtjen e drejtave të tyre.

Drejtori i Drejtorisë për KRS, Gardalin Shtavica, falënderoi të pranishmit për prezencën, dhe thotë : ” Ne këtë ditë kemi menduar që të shënojmë me gazetat e vjetra nga koha e luftës, ‘ 98 dhe ‘ 99, kryesisht me ekzemplare të gazetave ” Koha Ditore ” , të koleksionuara dhe të ruajtura nga gazetari dhe veterani i gazetarisë, Shaip Shala, të cilin e falënderojmë shumë, dhe duke organizuar një tryezë , ku me panelistët do të bashkëbisedojmë rolin e mediave elektronike dhe ato të shkruara ” .

Jusuf Bytyçi, gazetar dhe reporter i luftës, tregoi një retrospektivë e zhvillimit të gazetarisë gjatë karrierës së tij 30 vjeçare, duke thënë se që të jesh gazetar nuk mjafton vetëm shkollimi, por kryesorja është dashuria ndaj gazetarisë dhe prirja për të ushtruar punën e gazetarit, duke thënë në fund , se ai që dëshiron të bëhet gazetar i rekomandohet leximi i gazetave por edhe librave.

Vjollca Gurgule dhe Roland Mullaavda, u dakorduan se nevojitet bashkëpunimi i ndërsjellët i gazetarëve lokal për informimin sa më të shpejt dhe cilësor, ndërkaq Shaip Shala thotë se gazetaria është profesion joshës, me sfida, dhe kërkon sakrifica, ndërkaq informata e mirëfilltë në gazetari është nga vendi i ngjarjes, gjegjësisht nga dora e parë.

Rahoveci24 si mediumi më i madh dhe më i fuqishëm lokal jo vetëm në Rahovec, por ndër mediume tjera lokale në mbarë Kosovën, ka marrë mirënjohje për herë të parë nga dikush, e sidomos nga institucionet e komunës së Rahovecit.

Pas dy viteve ekzistencë, Rahoveci24 po merr mirënjohjen e parë, ndonëse vetëm si respekt, është një indikator i punës së bërë dhe kontributit për vendin tonë, me investime vetanake të individëve që ia duan të mirën vendit dhe pa asnjë përkrahje financiare nga institucionet, të cilët herë-herë edhe vështirësuan punën në portalin Rahoveci24.

Drejtori për Kulturë, Rini dhe Sport, Gardalin Shtavica ka arritur t’i thyejë disa barriera jo vertëm me mediat, por edhe me të rinjt, teksa ka përmirësuar ndjeshëm komunikimin mes këtyre faktorëve, një fakt shumë i rëndësishëm ky, ashtu sikurse debati i organizuar për herë të parë.

Meritat për suksesin dhe mirënjohjet u takojnë partnerëve tanë pa të cilët nuk do ishte e mundur ekzistenca si medium – Artvision si kontributori kryesor dhe kompania Haxhijaha që ka përkrahur dhe fuqizuar idetë tona.

Ju faleminderit… /Rahoveci24/

mirenjohje

Shkruani koment:

Ju lutem shkruani koment.
Ju lutem shkruani emrin tuaj.