Në Rahovec u shënua dita botërore e poezisë

Në mjediset e bibliotekës komunale “Sulejman Krasniqi” në Rahovec u shënua Dita Botërore e Poezisë. Në këtë aktivitet morën pjesë krijues të njohur të komunës së Rahovecit, krijues të rinj, nxënës e dashamirës të artit poetik.

Në manifestim morën pjesë edhe krijues nga shoqata për kulturë dhe letërsi “Tafil Kelmendi” nga Malisheva, me kryetarin Izet Shala, sekretarin Fadil Javori dhe anëtarët Mehdi Krasniqi e Beqir Binishi.

Në fjalën e rastit, drejtori i Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport në Rahovec, Gardalin Shtavica tha se, poetët janë ikonat e papërsëritshme në pasqyrimin e ambientit, bartës të idealeve më të sinqerta njerëzore, kritik të pandreqshëm ndaj botës, në kërkim të një bote më të mirë. Aa janë këngëtarë të të mundshmes dhe të të pamundshmes, të lotëve dhe buzëqeshjes, jetës dhe të pavdekësisë. Prandaj, ne do të mundohemi që të mbështesim krijimtarinë artistike në komunën e Rahovecit, të mbështesim krijuesit e rinj dhe ata që janë të dëshmuar, tha ndër të tjera drejtori Shtavica.

Ndërsa Qemajl Krasniqi, shef i sektorit për Rini dhe Sport theksoi se, qëllimi i UNESCO-s kur e përcaktoi Ditën Botërore të Poezisë në vitin 1999, ishte përkrahja e leximit të poezisë, nxitja e krijimtarisë poetike, botimi i saj, si dhe krijimi i një atmosfere mikpritëse për praninë poetike kudo në botë. UNESCO e ka ndërmarrë këtë hap për t’i dhënë gjallëri, vlerësim dhe shtysë lëvizjeve poetike kombëtare, rajonale dhe ndërkombëtare, prandaj edhe DKRS ka vendosur që ky aktivitet në të ardhmen të jetë më i organizuar dhe të krijohet një traditë e shkrimit dhe publikimit të poezisë edhe në komunën e Rahovecit.

Fjalë përshëndetëse mbajti edhe Prof. Dr. Sabahajdin Cena, i cili duke shprehur kënaqësinë që ndodhet në mesin e poetëve në këtë ditë të shënuar, inkurajoi krijuesit që të vazhdojnë me veprimtarinë e tyre dhe në këtë mënyrë t’i kontribuojnë pasurimit të jetës artistike në komunën e Rahovecit e më gjerë.

Më pas poezitë e tyre i lexuan poetët; Mr. Bedri Zyberaj, Dr. Besa Hoxha-Beqiri, Milazim Bajra, Hazir Luta, Bedri Dula, Ismail Gashi, Besë Bytyçi, Izet Shala, Beqir Binishi, Mehdi Krasniqi e Fadil Javori. Të rinjtë e qendrës rinore “SHL-Kosova” në Rahovec lexuan poezi të poetit të njohur ndërkombëtarisht Xhevdet Bajra, i cili jeton e krijon në Meksikë.

Në përmbyllje të aktivitetit drejtori i DKRS, Gardalin Shtavica ndau mirënjohje për disa poetë të Rahovecit. Me mirënjohje u nderuan Fahredin Shehu, për kontributin e dhënë në promovimin e kulturës tonë në botë. Mirënjohje ju dha edhe poetit Fadil Bajra, për përkthim të poezisë në gjuhën angleze, ndërsa me mirënjohje për nxitje të të rinjve për krijimtari letrare u nderua krijuesi Hazir Luta.

Në fund u shtrua një koktej për pjesëmarrësit në këtë aktivitet poetik.
image

image

image

Shkruani koment:

Ju lutem shkruani koment.
Ju lutem shkruani emrin tuaj.