Ndodh në Rahovec, profesori gjuan me armë në drejtim të nxënësit

Një profesor në shkollën profesionale “Selajdin Mullabazi – Mici” në Rahovec ka gjuajtur me revole në drejtim të nxënësit të tij.

Siç mëson Telegrafi, bëhet fjalë për profesorin e Afarizmit Bankar në këtë shkollë, A.G., i cili ka gjuajtur në drejtim të nxënësit B.Sh.

Sipas asaj që mëson Telegrafi, duke u bazuar në deklarata të nxënësve, për fatin e mirë të nxënësit, ai nuk është qëlluar, pasi plumbi ka kaluar disa centimetra larg kokës së tij.

Pas incidentit, profesori kishte shkuar në drejtim të shtëpisë së tij, ku edhe ishte arrestuar nga Policia.

Ngjarja ka ndodhur në oborrin e shkollës, pas një fjalosje në mes të nxënësit në fjalë dhe profesorit.

Ky thuhet se është rasti i tretë brenda 6 muajve të fundit në Rahovec, ku profesorët janë implikuar në raste të rënda dhune me nxënësit e tyre.

Komandanti i Stacionit të Policisë në Rahovec Osman Ismajli ka konfirmuar për KALLXO.com se profesori së bashku me nxënësin janë arrestuar pas këtij incidenti.

“Ka ndodhë një përleshje dhe është shtënë me armë zjarri,” ka thënë Ismajli.

E Kryeprokurori i Gjakovës, Ali Selimaj, ka sqaruar se zënka me të shtëna në mes profesorit dhe nxënësit të shkollës ka ardhur pas një konflikti që nxënësi me mësuesin e kanë pasur para dhjetë ditësh në ekskursionin e shkollës në Prishtinë.

“Mësuesi pas këtij konflikti ka deklaruar se është ndier i frikuar dhe ka bartur armën me veti,” ka thënë kryeprokurori Selimaj për kallxo.com. /Telegrafi/

Shkruani koment:

Ju lutem shkruani koment.
Ju lutem shkruani emrin tuaj.