Një mur prej 40 centimetra që ka prishur parkingun te gjimnazi “Xhelal Hajda – Toni” ka befasuar qytetarët.
Parkingu ndër të paktët në komunën e Rahovecit është eliminuar nga një mur që ka prishur atë.
Rahoveci24 fillimisht kontakoi drejtorinë për shërbime publike, Përparim Krasniqi, i cili tha se ky është investim i drejtorisë së arsimit. Krasniqi shtoi se po punohet në shtimin e parkingjeve në qytet, ndonëse nuk konfirmoi se do të krijohen rrugë një kahëshe edhe pse kjo është kërkesë e qytetarëve dhe bizneseve.
Drejtori i arsimit, Avni Morina në një bisedë për Rahoveci24 konfirmoi në anën tjetër se bëhet fjalë një kontratë të trashëguar nga qeverisja e kaluar për rregullimin e shkollave në gjithë komunën e Rahovecit.
Punëkryesi është ISA Dekor dhe sipas tij po bëhet rrethimi i shkollës.
“Është ngritur një mur 40 centimetra për të vendosur rrethojën përreth shkollës. Ai parking ishte në pronë të shkollës së mesme. Ndërkaq, kontrata është e trashëguar nga qeverisja e kaluar, e nënshkruar në vitin 2017 dhe ne vetëm po e zbatojmë atë”.
“Qëllimi është rrethimi i shkollës pasi oborri po frekuentohet shumë nga qytetarët, ndonëse është objekt vetëm për nxënës. Edhe hyrja nga stacioni i autobusëve do të mbyllet. Ndërkaq, një projekt i ngjashëm do realizohet edhe në Polluzhë në shkollë Sulejman Vokshi”, deklaroi Morina. /Rahoveci24/