Rahoveci e ka mposhtur Prizrenin disa herë këtë sezon. Mirëpo, kundërshtari i çerekfinales për Rahovecin është arrë më e vështirë për t’u thyer nga sa mendohet.
Çerekfinalja e Ligës Unike ka vënë përballë Rahovecin me Prizrenin 16 që për shumë kë pas fitores së fundit mbetet “kundërshtar i lehtë” në letër. Veçanërisht pas ecurisë me 7 fitore rresht.
Megjithatë, se pse Prizreni 16, apo siç njihet në popull “Ponte”, meriton të respektohet, flet fitorja ndaj “milionerëve të Yllit” pasditën e të dielës.
Prizreni 16 i Arbnor Rifatit e ka deklasuar Yllin në periudha të gjata në këtë takim dhe me Darrell Davis që është lider i skuadrës, arriti që të mposhtë kampionin aktual, për të befasuar shumë kënd – por jo portalin Rahoveci24 e shumë njohës të basketit në Rahovec.
Mbrojtja e shkëlqyer zonale dhe loja ekipore në sulm janë armë të shquara të Arbnor Rifatit, kurse me rikthimin e Urim Zenelajt, vetëbesimi i ekipit të tij është shumë i madh, këtu i ndihmon edhe fakti që presioni është në anën e Rahovecit pas 7 fitoreve rresht, presion që vjen natyrshëm nga publiku më i zjarrtë në Kosovë.
Palestra e Prizrenit ka hyrë në renovim dhe klubet prizrenase ndeshjet do t’i zhvillojnë jashtë Prizrenit.
Bashkimi do t’i zhvillojë ndeshjet në Rahovec, kurse Prizreni 16 në dimër ndeshjet i zhvilloi në Suharekë. Arbnor Rifati ka respekt për Rahovecin, ashtu si Rahoveci që ka respekt për të. Koha është që ta tregojë këtë respekt me vepra dhe ndeshjen kthyese të Ligës Unike ta caktojmë në Rahovec.
Kush do të ishte kundër një show në tempullin mitik “Mizahir Isma”?
Një gjë është e sigurtë, kudo që zhvillohet edhe ndeshja kthyese, dy përballjet me Prizrenin e Arbnor Rifatit do të jenë epike.
E Rahoveci do të llogarisë shumë në publikun e vet, pasi nëse Rifati vendos që të respektojë Rahovecin duke zhvilluar ndeshjen kthyese sërish në Rahovec pas ndeshjes të parë që zhvilluar të mërkurën në “Mizahir Isma”, atëherë në qytetin tonë do të presim së paku edhe 3 ndeshjet e ardhshme, të trija vendimtare ndaj klubeve prizrenase.
/Rahoveci24/