Basketbollisti i KB Rahovecit, Berat Mullabazi, u ka bërë thirrje të gjithëve që të jenë prezent ndaj Trepçës në Suharekë, pasi kështu rriten gjasat për një triumf historik dhe kualifikim në Final Four.
Sipas Mullabazit dueli do të jetë i vështirë, por në basketboll asgjë nuk është e pamundur.
“Do të jetë shumë vështirë, por asgjë nuk është e pamundur. Trepça ka cilësi të mëdha, ashtu siç i kemi ne. Ne kemi edhe publikun dhe kjo është shumë me rëndësi”.
“Nga fillimi duhet të shfrytëzojmë momentumin negativ të Trepçës pas humbjes nga Ylli, në një ndeshje që shpresoj se do të jetë korrekte. I bëj të gjithë që të jenë të pranishëm dhe t’i tregojmë Kosovës si organizohet një ndeshje e niveleve ndërkombëtare. Pa tifozët e qytetarët do të jetë e pamundur”, u shpreh Mullabazi.
I pyetur për raportimet e fundit se trajneri Jeton Nixha po e lë jashtë 12-shes, Mullabazi shprehu besimin e plotë te trajneri.
“Ajo është zgjedhja e trajnerit dhe unë i respektoj ato. Ai e di më së miri çka është më e mira për ekipin. Unë do të vazhdoj të punoj shumë dhe të luftoj për pozitën time. Respektoj secilën zgjedhje të trajnerit”, përfundoi lojtari për Rahoveci24.