Trajneri i KB Rahovecit, Muhamed Thaçi, u shpreh i dëshpëruar me faktin që lojtari i ri i ekipit, përforcimi i shumëpërfolur, nuk luajti në këtë takim.
Ai potencoi se ka 5 ditë që është nënshkruar me lojtarin dhe madje ai ishte në Mitrovicë, megjithatë klubi nuk arriti t’ia siguronte fletlëshimin nga Italia, ku ai ishte i regjistruar së fundmi.
“Më dhemb fakti që ne e kemi sjellur lojtarin para 5 ditëve, dhe nuk kemi pasur mundësi t’ia sjellim LOC (fletlëshimin) prej Italisë, kjo është një… një katastrofë për ekipin tim, sepse është vetëm dy minuta punë. Por, fatkeqësisht s’ka lujtë sepse do të na kishte ndihmuar, është një lojtar kualitativ”, u shpreh Muja.
Se kush është lojtari, klubi ende nuk e ka komunikuar në faqen zyrtare, por thjeshtë ka paralajmëruar prezantimin e tij.
Megjithatë, mediat tjera lokale raportuan se është Braxton Huggins, një lojtar shënues tipik amerikan, i cili ka 5 ditë që ka nënshkruar me klubin dhe ka 3 ditë që është në Rahovec, por nuk luajti me Trepçën pasi klubi nuk arriti të siguronte fletlëshimin nga e martja.
Ndër tjerash Muhamed Thaçi tha se Bardh Rexha do të mungojë së paku një muaj dhe se Musabi nuk ka përmirësim në lëndimin e tij.
Ai përgëzoi mes tjerash lojtarët për paraqitjen e tyre në duelin ndaj Trepçës, në atë që ishte humbja e nëntë rresht për klubin, por që ndihet si fitore, falë paraqitjes fantastike të ekipit.
Rahoveci rikthehet më 19 nëntor ndaj Bashkimit në palestrën “Mizahir Isma”, ku fitorja është e domosdoshme.
/Rahoveci24/