Trajneri i KB Rahovecit, Muhamed Thaçi – Muja, ka dhënë deklaratën e tij të parë pas tërheqjes së shortit të Superligës së Kosovës në basketboll.
Muja i pyetur për faktin se dueli i parë ka vënë Rahovecin përballë Yllit në shtëpi, ka thënë se është gjë e mirë që të fillohet kampionati ndaj kampionit aktual. Ai thotë se ekipi i tij dhe klubi janë të fokusuar vetëm në veten e tyre.
“Po e kam parë shortin, nuk ka më mirë se të fillosh kundër kampionit aktual. Ne do të fokusohemi te ekipi jonë dhe do të futemi sa më të përgatitur”, u shpreh Thaçi.
Angazhimet e Yllit në garat evropiane si dhe mungesa e trajnerit Adis Beciragic i cili është në Eurobasket me Bosnjën për trajnerin e Rahovecit nuk përbëjnë ndonjë avantazh. Beciragic minimalisht deri më 7 shtator është me Bosnjën, kurse ndeshja e Yllit me Rahovecin zhvillohet më 10 shtator.
“Sa i përket çështjes së trajnerit të Yllit në në ndeshjen e parë nuk ndryshon asgjë pothuajse, pasi që Ylli është skuadër kualitativ dhe favorite. Unë besoj se është më mirë të luhen më shumë ndeshje edhe pse ndonjëherë lodhja, udhëtimet, lëndimet e bëjnë të veten, por duke luajtur ekipi komponohet më mirë”, deklaron Muja.
Vëllaznimi do të jetë kundërshtari i dytë i Rahovecit në Gjakovë dhe Muja pranon se gjakovarët janë më përpara me përgatitje.
“Vëllaznimi është ekip i organizuar mirë dhe në përgatitje janë më përpara se ne. Në Gjakovë do të jetë zjarrtë, por ne jemi të fokusuar te keipi jonë dhe vetëm në ndeshjen e parë ndaj Yllit”, u shpreh strategu i KB Rahovecit në lidhje me shortin.
Rahoveci pret Yllin në ndeshjen hapëse të këtij edicioni në “Mizahir Isma” më 10 apo 11 shtator.
/Rahoveci24/