Morina: Nevojitet përkushtim më i madh i mësimdhënësve dhe nxënësve

Drejtori i Drejtorisë për Arsim, Avni Morina, ka kërkuar përkushtim më të madh nga nxënësit mësuesit e mësimdhënësit.

Ai këto pohime i bëri në ditën e shkollës, “Ukshin Hoti” në Krushë të Madhe.

Postimi i plotë i Morinës në Facebook:

Fjala ime sot në ditën e shkollës “Ukshin Hoti” në Krushë të Madhe

Të nderuar mësimdhënës e prindër, të dashur nxënës!
Të nderuara familje të dëshmorëve të atdheut!
Kam kënaqësinë e veçantë që ndodhem sot mes jush, në ditën festive të shkollës, e cila me krenari mban emrin e atdhetarit të shquar Ukshin Hoti. Të keshë një emër ndoshta është rastësi, por të meritosh një emër dhe të ndjehesh krenar që mban këtë emër, është madhështi.
Festa e Ditës së kësaj shkolle është madhështore sepse po mbahet në vigjilje të festave të mëdha të Nëntorit, të Nëntorit të Historisë dhe të krenarisë sonë kombëtare, që daton që nga koha e Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastriotit Skënderbeut, për të vazhduar më tej me Nëntorët e lavdishëm, Nëntorin e Dytë, që është 28 Nëntori i Flamurit dhe Shpalljes së Pavarësisë, 28 Nëntori i Ditëlindjes së Adem Jasharit e 28 Nëntori daljes publike të Ushtrisë së Lavdishme Çlirimtare të Kosovës.
Jemi në dijeni se kësaj shkolle nuk i kanë munguar sukseset, por jam i bindur se këto suksese nuk do t`i mungojnë dhe do t`i rriten edhe në të ardhmen. E them këtë sepse besoj në kapacitetet që ka kjo shkollë, në angazhimin maksimal, vullnetin dhe motivimin e mësimdhënësve dhe nxënësve të kësaj shkolle për të arritur suksese edhe më të mëdha.
Është në natyrën e njerëzve që të mos kënaqen me arritjet e tyre dhe kjo gjë është pozitive. Prandaj, për të arritur suksese edhe më të mëdha, nevojitet përkushtim edhe më i madh, jo vetëm i drejtorit të shkollës dhe Këshillit Drejtues të saj, por edhe i të gjithë mësimdhënësve, prindërve dhe nxënësve.
Shkolla e Mesme e Lartë “Ukshin Hoti” është vatër dije dhe është shtëpia juaj e përbashkët, andaj, krahas angazhimeve tuaja të përditshme në procesin e mësimdhënies, ju ftoj që ta mirëmbani dhe të kujdeseni maksimalisht për të.
Kësaj shkolle, asnjëherë nuk i kanë munguar sukseset dhe nëse ju jeni të përkushtuar edhe më shumë, atëherë edhe sukseset tuaja do të jenë edhe më të mëdha.
Ju uroj suksese edhe më të mëdha në procesin edukativo arsimor! Ju uroj Ditën e Shkollës!
Gëzuar Festën e madhe të 28 Nëntorit dhe të gjitha këto festa të këtij muaji, të cilat na bëjnë të ndjehemi dhe të jemi krenarë për të kaluarën tonë të lavdishme!

26.11.2018 Avni Morina, Drejtor i DKA-së

 

Shkruani koment:

Ju lutem shkruani koment.
Ju lutem shkruani emrin tuaj.