Mërgimtari zgjon shpresën në Rahovec, dhuron mbi 20 karroca e shtretër

Mbi 20 karroca e shtretër u dhuruan nga mërgimtari Agron Berisha për Qendrën e Mjeksisë Familjare në Rahovec e Qendrën për Punë Sociale. E iniciatorja e këtij donacioni të madh për Rahovecin ishte e ëma e tij.

Nga Suedia arriti në Rahovec.

640x74

Destinacion i parë i mërgimtarit, Agron Berisha, ishte Qendra për Punë Sociale.

Me furgonin e mbushur plot, Berisha solli një donacion të veçantë.

“Nuk është hera e parë kësi donacione që kam pru, por ky është donacion pak më i veçantë i cili kam pru karroca edhe shtretër për spitalin e komunës së Rahovecit”, tha Berisha.

Mirëpo iniciativa fillestare për të kontribuuar për pajisje mjekësore në këtë qytet nuk ishte e tij.

E nga Qendra për Punë Sociale, karrocat e shtretërit do të shpërndahen te njerëzit që kanë nevojë për këto pajisje.

“Sot kemi pranu 10 karroca për personat me nevoja të veçanta, 10 karroca ndihmëse për personat e moshuar, kemi pranu edhe një shtrat për personin e sëmurë që do t’i shërbejë një qytetari të rrethinës të Rahovecit dhe kemi pranu edhe një shtrat tjetër që nevojitet për me bart personin e sëmurë që me i kry nevojat që i ka”, tha Ymret Reshiti.

Por, ndihma nga Berisha nuk ndali vetëm me kaq.

Disa prej donacioneve tjera u dërguan në Qendrën Kryesore të Mjeksisë Familjare në Rahovec.

Nga stafi mjekësor u tha se kjo ndihmë është lehtësim për personat që kanë nevojë për kujdes dhe mbështetje të veçantë.

“Kemi nevoja të shumta, posaçëm me sëmundje kronike që janë të palëvizshëm. Këta shtretër që z. Agroni  që na i ka dhuru nga Dejni është shumë i mirëseardhur”, tha Dr. Qazim Cana – koordinator i QKMF-së.

“Isha te mjeku, u kontrollova, ashtu që janë jashtëzakonisht kushtet e mira falë donacioneve që janë kushtet më të mira për pacientët”, tha pacienti Ali Hoxha.

Përveç këtij donacioni me pajisje mjeksore, Berisha ka furnizuar edhe shkollat në Rahovec me pajisje teknologjike.

Shkruani koment:

Ju lutem shkruani koment.
Ju lutem shkruani emrin tuaj.