Është mbajtur tubimi masiv i qytetarëve të Rahovecit të cilët janë të pakënaqur me versionin 6 që është planifikuar për autostradën e Dukagjinit, e cila anashkalon Rahovecin dhe e izolon përgjithmonë komunën tonë duke e bërë të paperspektivë.
Në këtë takim qytetarët formuan një këshill të përbashkët për të përfaqësuar interesat e qytetarëve të pakënaqur.
Në këtë takim folën Suad Çmega i cili ofroi fakte pse varianti 1 është më i dobishëm për shtetin dhe komunën e Rahovecit, teksa e cilësoi variantin 6 si shkatërrimtar për Drinin e Bardhë dhe tokat e klasit A në atë zonë, ashtu sikurse që do të krijonte izolim për komunën e Rahovecit.
Jeton Haxhijaha nga këndvështrimi i ekonomistit ofroi fakte pse Rahoveci do të kishte zhvillim ekonomik më të mirë me variantni 1 duket pasur perspektivë dhe se si do të izolohej totalisht nga pjesa tjetër e vendit në variantin 6 duke e bërë që qyteti të jetë i paperspektivë dhe kështu i pabanueshëm për të rinjt.
Mes tjerëve foli edhe Habib Dina, kryetar i shoqatës “Kultivuesit e Rrushit” që konfirmoi se në interes të vreshtarëve është varianti 1 i propozuar nga qytetarët e Rahovecit e i injoruar në dëgjimin publik.
Ndërkaq, mbështetjen e plotë e ofroi edhe një prej figurave kyçe të luftës për çlirim, Ismet Tara, komandant Hoxha, i cili mbështeti fuqishëm kërkesat e qytetarëve dhe ofroi përkrahjen e plotë ndaj tyre deri në realizimin e plotë të kërkesave.
Nga ky takim u mor vendim nga qytetarët që fillimisht këshilli të takohet me kryetarin e komunës, Smajl Latifin, i cili vazhdimisht ka insistuar për versionin në dëm të Rahovecit, e më pas të zhvillohet edhe takim me përfaqësues të Qeverisë së Kosovës.
Në rast se kërkesat nuk do të adresohen dhe plotësohen, atëherë masa e fundit do të jetë protesta e të gjithë qytetarëve të Rahovecit.
Kujtojmë se 76 për qind e qytetarëve të Rahovecit janë të gatshëm që të dalin të protestojnë, përfshirë edhe fshatrat përreth, ndërsa deri tash kërkesat e tyre u injoruan nga kryetari të cilin e zgjodhën për t’i mbrojtur interesat e tyre, Smajl Latifi. /Rahoveci24/