Smajl Latifi ka publikuar një video ku ai thotë se Idriz Vehapi vetëm në relacionin Prishtinë Rahovec ka shpenzuar 30 mijë euro dhe se do të ndërtojë një çerdhe me ato para.
Megjithatë, Rahoveci24 ka siguruar dokumente të cilat e vërtetojnë një gjë të kundërt.
Për gjithë vitin 2016 komuna e Rahovecit ka shpenzuar 53 mijë euro karburante, duke bërë që llogaritja e Latifit të mos qëndrojë.
Edhe pse Latifi ka gabuar, kjo nuk e amniston Vehapin nga shpenzimet e mëdha në karburante.
Ai në vitin 2015 shpenzoi 20 mijë euro më pak karburante, duke ndikuar që këto shpenzime të rriten një vit më vonë.
E gabuar është edhe llogaritja e Latifit për çerdhe. Një çerdhe në asnjë formë nuk mund të ndërtohet me 30 mijë euro dhe kjo është vetëm llogaritja e dytë e gabuar e Latifit pas premtimit prej 1 milion euro buxhet për bujqësi në vit.
Latifi, Vehapi dhe Korenica nga VV u përplasën ashpër në debatin e Klan Kosovës, dhe pas tij, pasi ishte kandidati i AAK-së ai që premtoi 1 milion euro buxhet në bujqësi, një premtim që u quajt qesharak nga Vehapi dhe absurd nga Korenica i cili e vuri në pikëpyetje se nëse Latifi do të bashkëpunojë me para-militarin e beretës së kuqe, Nenad Rikalo. /Rahoveci24/