I nderuar kryetar Vehapi, shpresoj që kjo letër të ju gjejë mirë me shëndet!
Arsyeja që po ju shkruaj ka të bëjë me shqetësimin tim, brengosjen time si një prind i ri.
Tash e disa muaj kam filluar të shqyrtoj mundësitë që ofron komuna jonë për ta dërgu vajzën time në një çerdhe/kopsht! Gjatë kësaj periudhe, kam takuar shumë prindër dhe qytetarë me të cilët kam biseduar në lidhje me mundësinë për regjistrim të vajzës në çerdhen e vetme publike që kemi.
Besoj që ju si prind keni njohuri që misioni i kopshtit është, që në bashkëpunim me prindërit, të realizojë edukimin dhe zhvillimin e personalitetit të fëmijëve dhe t’i parapërgatitë ata për në shkollë.
I nderuar kryetar, personalisht nuk kam bërë ndonjë hulumtim të mirëfillt për gjendjen reale, por është trishtuese për një prind kur dëgjon tregimet e qytetarëve në përgjithësi, dhe prindërve në veçanti për mungesën e kushteve elementare, mungesën e përgjegjësisë nga ana e edukatoreve, dhe keq menaxhimin në këtë institucion. Rrjedhimisht, ky institucion që duhet të jetë dhe është nën kompetencat tuaja, është shumë larg misionit të lartëpërmendur.
Komuna jonë i nderuar kryetar, duke pas parasysh numrin e banorëve, jo vetëm që ka mungesë të çerdheve/kopshteve, por edhe një e vetme që ekziston nuk ofron siguri e aq më pak është institucion edukativ.
Prandaj, unë si prind, si qytetar i juaj, kërkoj nga JU që të merrni masa, të na largoni dyshimet tona, dhe duke ushtruar kompetencat tuaja të bëni një vlerësim të punës së edukatoreve dhe programit që ofrohet nga çerdhja e vetme në qytetin tonë, dhe publikisht të dilni me një raport vlerësues.
Kryetar, shpresoj që këtë letër nuk do e injoroni siç rëndom bëni me ankesat e qytetarëve, sepse ky shqetësim para së gjithash është njerëzor dhe prindëror.
Sinqerisht,
Betim Zllanoga
Qytetar i komunës së Rahovecit