Lista e lëndimeve te KB Rahovecit vetëm po shkon duke u zgjeruar.
Pas përjashtimit të Muhamed Hasanit dhe operimit në mushkri të Altin Morinës, pas ndeshjes ndaj Trepçës i lënduar është parë të jetë edhe kapiteni Besnik Sharku.
Sipas informacioneve të Rahoveci24, Sharku nuk u stërvit në stërvitjen e parë pas ndeshjes që u mbajt të hënën.
Ai vuan nga një dëmtim në metakarpalin mes gishtit të madh dhe gishtit të dytë të dorës së djathtë.
Sharku pritet t’u nënshtrohet ekzaminimeve gjatë ditës ku edhe do të dihet natyra e lëndimit, teksa përkundër faktit që duket të jetë lëndim i lehtë, ka mundësi që sezoni tashmë të jetë i përfunduar për Sharkun. Mbetet të shihet cili do të jetë rezultati i ekzaminimeve, por në secilin rast shpresojmë të kthehet sa më shpejt.
Sharku pritet të ekzaminohet edhe për një problem në gju, ku u shfaq me dhimbje pas çerekfinales ndaj Trepçës dhe përkundër dhimbjeve shfaqi paraqitje fantastike me double double ndaj Yllit, por nuk u gëzua me fitore përkundër kësaj performance.
Nga ana tjetër, edhe amerikani Rashan Bellinger është lënduar gjatë stërvitjes të së hënës, kur gjatë një ushtrimi të vështirë të kërkuar nga trajneri Jeton Nixha, ai dëmtoi gjoksi dhe ndjeu dhimbje të mëdha.
Për Rahoveci24 Rashan ka treguar se ai ndjen dhimbje të mëdha, por se do të bëjë të pamundshmen për të luajtur ndaj Pejës pas dy javësh.
Kështu, KB Rahovecit i është zgjeruar mjaft shumë lista e lëndimeve, e gjitha kjo vjen pas amortizimit të madh të lojtarëve të cilët luajtën katër ndeshje brenda 6 ditësh.
Në këtë situatë, transferimi i Ronald Farmer është lajmi më i mirë për klubin pasi lojtari pritet t’i gjendet ekipit në momentin më të vështirë kur dihet se Sharku mund të mungojë së paku një deri në dy ndeshje, kurse Bellinger do të luftojë me kohën që të kthehet në parket dhe pas përjashtimit të Hasanit, Bellinger është më se i nevojshëm pas 22 pikëve të realizuara në humbjen në Mitrovicë ku ai shfaqi agresivitet të pa parë në sulm. /Rahoveci24/