Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, tha se fitorja e LDK-së të jetë e padiskutueshme, duke marrë parasysh përkrahjen e madhe që po e gëzon.
“Ne kemi lëvizur anekënd Kosovës dhe kudo që kemi shkuar, kërkesë e njerëzve ka qenë udhëheqja e vendit nga LDK-ja, sepse ata e kanë vërejtur se në nëntë komunat që kemi qeverisur, nuk e kemi pasur asnjë aferë, asnjë skandal dhe kemi arritur rezultate shumë të mira”, ka theksuar Mustafa.
Kandidati për kryetar të Rahovecit, Ibrahim Kryeziu, premtoi se gjatë qeverisjes së tij do të bëjnë inkubatorin e biznesit, zhvillim ekonomik, subvencione dhe grante për bujqit, do të ndajnë bursa dhe do të themelojnë fondin për mbështetjen e bizneseve fillestare.
“Plani ynë parasheh ta ndërtojmë objektin e ri të mjekësisë familjare, do ta kemi shërbimin e emergjencës, do ta kemi ekipin mobil, do të ndërtojmë 5 deri 10 shtëpi për familjet skamnore dhe Rahovecin do ta bëjmë me shesh”, ka premtuar Kryeziu.