LDK bëhet me portal, quhet Rahoveci n’Fokus

LDK në Rahovec është duke u përgatitur fuqishëm për zgjedhjet e ardhshme lokale dhe po forcon artilerinë anti-Smajl.

Sipas burimeve shumë të sigurta të portalit Rahoveci24, ky subjekt politik po investon tashmë në media dhe propagandë.

Për këtë po angazhohet direkt kandidati për kryetar, Burim Krasniqi, i cili tashmë ka blerë portalin Rahoveci n’Fokus dhe e ka bërë këtë portal mjet të LDK-së në Rahovec. Ky portal gjendet vetëm si faqe në Facebook.

Fillimisht, ky portal vazhdon akoma të drejtohet nga gazetarë lokal dhe qëllimi është që të rritet ky portal me pamje të bukura nga Rahoveci, për t’u vënë më pas në funksion si mjet propagandues.

“Po, është e vërtetë, pronari origjinal e ka shitur këtë portal për një shumë prej 300-400 euro. Burim Krasniqi e ka blerë dhe drejtohet nga një gazetar i njohur vendas, i cili kryesisht është marrë me sport, por që tash bashkëpunon me LDK-në. Ky portal është kryekëput anti-Smajl Latifi dhe këtë funksion e ka”, thotë burimi i sigurtë për portalin tonë.

Se sa do t’ia dalë Rahoveci n’Fokus të jetë një instrument anti-Smajl mbetet të shihet, kur dihet arsenali i jashtëzakonshëm i PR-it që zotëron vet kryetari Smajl Latifi.

Rahoveci24 mbetet portali i vetëm i pavarur në komunën e Rahovecit. Portali Rahoveci24 është themeluar në Shkurt të vitit 2014 dhe drejtohet aktualisht nga ish-gazetari, Arnolld Korenica. Portali ka mbi gjysmë milionë shikime në muaj në faqen e saj në Facebook dhe pavarësisht ofertave të majme nga partitë politike ka refuzuar të shitet tek persona të cilët janë lidhur me politikën.

Portali financohet nga të ardhurat vetanake nga themelimi dhe kryesisht nga disa reklama të bizneseve komerciale.

Shkruani koment:

Ju lutem shkruani koment.
Ju lutem shkruani emrin tuaj.