Latifi: Nuk kemi pritur të jemi në balotazh, koalicion vetëm me qytetarët

Kandidati për kryetar të Komunës së Rahovecit nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Smajl Latifi ka thënë se koalicion vetëm me qytetarët.

Latifi ka përjashtuar mundësinë për lidhjen e një koalicioni me ndonjë parti.

“Unë kam koalicion vetëm me qytetarët dhe gjithë njerëzit e vullnetit të mirë që e kanë vlerësu ndryshimin që ka ndodhë për katër vjet dhe janë të gatshëm me punu bashkë me neve për ndryshimet që do të ndodhin në katërvjeçarin e ardhshëm”, u shpreh tutje ai.

Për shkuarjen në balotazh Latifi thotë se po përgaditet për fitoren e 14 nëntorit.

“Kurrgja nuk na ka penalizu, na kemi prit me qenë të parët, edhe kemi qenë të bindur. Por me siguri nuk kemi mbërri me vlerësu situatën në ndonjë pjesë, kjo është vërtetë.  Nuk jam ekspert i zgjedhjeve, ne tash jemi t;u punu veç me shku bindshëm pa asnjë problem”, ka thënë ai për Kallxo.com

Në këto katër vitet e fundit, Rahoveci është qeverisur nga Smajl Latifi i AAK-së.

Ai në zgjedhjet e mbajtura të dielën mori 47.23% kurse Visar Korenica nga LVV 24.78%.

Rundi i dytë mbahet katër javë pas mbajtjes së rundit të parë, apo, në këtë rast, më 14 nëntor.

Sipas Ligjit për zgjedhjet lokale, nëse asnjëri nga kandidatët nuk fiton më shumë se 50 për qind të votave, plus një votë të numrit të përgjithshëm të votave të vlefshme, atëherë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) duhet të organizojë rundin e dytë ndërmjet dy kandidatëve që kanë fituar më së shumti vota.

Shkruani koment:

Ju lutem shkruani koment.
Ju lutem shkruani emrin tuaj.