KB Rahoveci ka filluar ndryshimet radikale në rosterin e vet pas humbjes së shtatë rresht të pësuar nga Teuta e Durrësit, një humbje për faqet e zeza të historisë pasi pranuam 123 pikë, si asnjëherë më parë.
Rahoveci24 ka informacione se tashmë bordi ka marrë mbështetje edhe nga faktorë tjerë relevant që kanë qenë më parë krucial për suksesin e klubit.
Mobilizimi i madh ka pasur për pasojë lëvizjet e para.
Është liruar Nick Banyard, i cili tashmë do të kalojë në një nga top skuadrat evropiane pas paraqitjeve monstruoze. Pos tij, është larguar edhe Myles Thomas i cili nuk arriti të përmbushë pritshmëritë e klubit.
Në anën tjetër klubi tashmë pos dy transferimeve të reja, ka gati edhe dy lojtarë të tjerë dhe një trajner të njohur turk.
Këto lëvizjet e fundit dhe ardhja e trajnerit turk me përvojë pritet që t’i japin mentalitet të ri lojës së KB Rahovecit, që pas pushimit të kombëtareve do të jetë ekip me fytyrë tjetër.
Të shpresojmë se do të kthehet gjithçka kah e mbara, por edhe publiku duhet që të reagojë dhe që fuqishëm të përkrahë ekipin në këto ditë aspak të mira për basketbollin rahovecas, gjë me të cilën nuk jemi mësuar për shkak të fazave të suksesit, megjithatë, janë tepër normale për një klub sportiv.
Ani pse, në masë të madhe kjo krizë ishte parlajamëruar nga Rahoveci24 në fillim të edicionit, atëherë kur dashamirët e basketbollit në Rahovec kërkuan të parandalonin vendimet e gabuara të klubit.
/Rahoveci24/