Kryetari i komunës së Rahovecit, Idriz Vehapi, është takuar me ministrin e Financave, Avdullah Hoti, në Krushë të Madhe me rastin e përkujtimit të 241 martirëve që u vranë në masakrën e forcave serbe në luftën e fundit për liri.
Dhe, dy të parët e degëve të dy partive më të mëdha, PDK dhe LDK u takuan pas shumë kohësh me njëri-tjetrin.
Avdullah Hoti në Krushë të Madhe shkoi pas presionit të madh që ka së fundmi për përfundimin e palestrës, e cila ka mbetur peng e finalizimit të fazës së tretë për të cilat duhen ende mjete, mjete financiare që mund t’i sigurojë vetëm Hoti.
Presioni i madh i Hotit nuk e ka ndaluar atë që të qëndrojë në Rahovec të shtunën, ku ishte në Krushë të Madhe dhe ku u takua me kryetarin Vehapi me të cilin kishte rast të bisedonte edhe për këtë temë.
Sipas disa burimeve, mësohet se dy politikanët më të fuqishëm të Rahovecit u zotuan në mënyrë të përbashkët që të përfundohet palestra, me Hotin i cili ia konfirmoi kryetarit Vehapi se po bën maksimumin që palestra të përfundojë sa më shpejt.
Ishte kryetari Vehapi ai që vetëm para dy ditësh u paraqit në një emision televiziv në Klan Kosova ku foli për palestrën, e ku edhe një herë i bëri thirrje qeverisë që ta përfundojë këtë projekt.
Edhe Hoti edhe Vehapi u dakorduan se projekti shumë i rëndësishëm për sportin e Rahovecit duhet të nisë të finalizohet shumë shpejt dhe se është koha që të lihen anash inatet politike dhe që të gjendet një zgjidhje sa më e shpejt për palestrën.
Burime tjera të Rahoveci24 mësojnë se Avdullah Hoti nga 24 orë në ditë është duke punuar për të gjetur një zgjidhje sa më të shpejt për përfundimin e palestrës.
Gjëja që besohet se i ka penguar Avdullah Hotit ishin raportimet e Rahoveci24, të cilat ishin shumë të sakta dhe të verifikuara. Hoti ka pasur vërejtje për gjuhën që portali ka përdorur në raport me të dhe partinë e tij, pas editorialit të publikuar një ditë para 27 vjetori të LDK-së, teksa shprehu shqetësimin nëse portali ka ndonjë prapavijë politike, një shqetësim që atij i është eliminuar nga njerëzit e afërt të tij, të cilët ia shpjeguan rëndësinë që ka projekti dhe se sa është pakënaqësia e madhe ndër qytetarët e Rahovecit për këtë projekt dhe se fushata për palestër është qytetare dhe pa prapavijë politike. Hoti po ashtu besohet të ketë ngritur pikëpyetje për financimin e portalit, ngase ai ka dyshuar për financim nga ndonjë rival politik i tij. Këto dyshime të tij sërish u hodhën poshtë nga njerëz shumë të afërt të tij, duke sqaruar misionin fisnik të portalit Rahoveci24 për të mirën e qytetit, pasi portali ka financim nga vet qytetarët dhe nga asnjë parti politike.

Rahoveci24 gjatë transmetimit të serisë së emisioneve “Perspektiva” kishte ftuar dhjetëra herë Avdullah Hotin për intervistë, ku ai pranoi të intervistohej, por gjithnjë gjente justifikime për të mos marrë pjesë.
Po ashtu, portali vazhdimisht po bën përpjekje që të bindë të parin e LDK-së në Rahovec që të intervistohet në mënyrë të drejtpërdrejt, ku do të sqaronte shumë brenga për qytetarët e Rahovecit
Ditët në vijim Rahoveci24 do të zbulojë modalitetet për përfundimin e palestrës dhe një afat se kur qytetarët mund ta shohin të përfunduar.
E sigurtë është, palestra e Rahovecit është më afër përfundimit se asnjëherë tjetër dhe shumë shpejt sportdashësit mund ta gëzojnë shtëpinë e tyre dhe që po ashtu të ri aktivizohen sporte tjera si Hendbolli, Volejbolli etj. /Rahoveci24/