Kryetari i komunës së Rahovecit, Idriz Vehapi, ka konfirmuar se së shpejti do të finalizohet projekti i hapjes së Repartit të Dializës në Qendrën Klinike të Mjekësisë Familjare në Rahovec.
Me anë të një postimi në Facebook, Vehapi ka bërë të ditur se ai është takuar me zyrtarë të QKUK-së, takim që u kryesua nga Ibrahim Rudhani, drejtor i qendrës së dializës në QKUK dhe në nivel të Kosovës.
“Konkluzë e përbaskët e takimit ishte që të vazhdojnë punët që ky projekt me rëndësi të veçantë të finalizohet sa më shpejt”, deklaroi kryetari Vehapi.
Në takim kryetari Vehapi u shoqërua edhe nga drejtori për Shëndetësi, Munib Durguti, i cili është një nga drejtorët më puntorë të kësaj qeverisje.
Në Rahovec janë mbi 30 persona që kanë nevojë për trajtim në Repartin e Dializës, një projekt prej më të rëndësishmeve në Rahovec që nga paslufta e që ka qenë premtim para-zgjedhor nga kryetari Idriz Vehapi. /Rahoveci24/