Po vazhdon realizimi i projekteve të cilat janë paraparë të realizohen gjatë vitit 2016, të cilat kanë të bëjnë me rregullimin e infrastrukturës rrugore në fshatrat Koznik, Kramovik dhe në qytetin e Rahovecit.
Realizimin e projekteve sot i ka parë nga afër kryetari i Komunës së Rahovecit, Idriz Vehapi i shoqëruar nga Muhamet Behra, drejtor i Drejtorisë për Shërbime Publike. Projektet të cilat sot u vizituan nga kryetari dhe drejtori, kanë të bëjnë me asfaltimin e rrugës që lidh fshatrat Koznik, Potok me fshatin Pastasellë, kubëzimin i rrugëve në fshatin Kramovik, rregullimi i oborrit të shkollës “Bekim Sylka” dhe rregullimi i rrugëve me gurë në qendrën e vjetër të qytetit të Rahovecit.
Për realizimin e këtyre projekteve kryetari Vehapi, u shpreh se me mundësit buxhetore që ka komuna, në vazhdimësi po bëjmë përpjekje për përmirësimin e infrastrukturës rrugore si me asfaltim, po ashtu edhe me kubëzim të rrugëve si në fshatra po ashtu edhe në qytetin e Rahovecit.
Në fshatin Kramovik rrugët të cilat janë duke u kubëzuar janë: Rruga e “Berishve” me gjatësi 432 metra, rruga e “Thaqve” me gjatësi 343 metra dhe rruga “Azemajve” me gjatësi 80 metra. Kurse rruga e cila ka filluar të asfaltohet gjatë kësaj jave që lidh fshatrat Koznik, Potok me fshatin Pastasellë është e gjatë 3800 metra.
Banorët të cilët gjatë vizitës u takuan me kryetarin, falënderuan kryetarin për projektet siç thanë ata të qëlluara, pasi që projektet të cilat janë duke u realizuar nga buxheti komunës janë në të mirë të të gjithë banorëve, do të u lehtësohet lëvizja nëpër këto rrugë.
Ndërsa projekti i cili është duke u realizuar, për rregullimin e oborrit të shkollës “Bekim Sylka” është projekt në bashkëfinancim në mes Komunës së Rahovecit dhe IOM-it, dhe në kuadër të këtij projekti do të rregullohet oborri dhe fusha sportive.