Korenica: Nuk e votoj kodin civil që lejon martesat mes gjinive të njëjta – edhe nëse më largojnë nga VV

Deputeti i VV-së, Visar Korenica, e ka precizuar edhe një herë në paraqitjen e fundit televizive se nuk do ta votojë kodin civil që lejon martesat mes personave të të njëjtës gjini.

Ishte së pari Syri TV që raportoi se Korenica është një nga personat që mund të largohen nga VV për shkak të kodit Civil.

Në paraqitjen e tij të fundit në Kanal 10, Visar Korenica në një panel të gjerë me analistë kontrovers si Milaim Zeka e Halil Matoshi, pranoi se ka mospajtime me mënyrën si po mbahen zgjedhjet në Vetëvendosje.

Ai konfirmoi se më nuk ka asnjë funksion në degën e VV-së në Rahovec, që pret të zgjedhë kryetarin e ri, por nuk la të kuptohet nëse kodi Civil ka ndikuar në mos kandidimin e tij.

Ai shprehu pakënaqësi për mënyrën si janë zhvilluar zgjedhjet në disa qendra si në Prizren, ku në mënyrë jodemokratike disa persona arritën të marrin primatin në degën e Prizrenit, çka ndikoi në largimin e shumë personave.

Pikërisht në Kanal 10 ku prezent ishte edhe gazetari e pronari i këtij televizioni, Fidan Rama, ishte deputeti Korenica ai që rikonfirmoi qëndrimin e tij për kodin civil.

“Tjetër kod civil ka shkuar në qeveri e tjetër ka ardhur në Kuvend. Ashtu si e kanë sjellë, nëse vjen sërish, me ato nene që lejojnë martesat e të njëjtës gjini, unë nuk e votoj”, u shpreh Korenica.

I pyetur se nëse mund të përjashtohet nga partia nëse nuk e voton sërish kodin civil, ai tha se edhe po të ndodhë, jeta vazhdon.

“Unë nuk do të largohem nga VV për shkak të këtyre mospajtimeve. Kryesia e VV-së do të zgjidhet shumë shpejt, aty mund të merret vendimi të na përjashtojnë. Unë nuk kam votë pro kodit civil, do të vazhdoj të votoj kundër. Kemi obligim ta ruajmë familjen dhe shoqërinë. Nëse më përjashtojnë, do të vazhdoj të jetoj. Jeta vazhdon…”, u shpreh Korenica duke precizuar se nuk e ka ndërmend të lëshojë pe përkundër presioneve.

Rahoveci24 ka mësuar se Ali Dula pritet që të zgjidhet kryetar dege i VV-së me emërim direkt nga “lart”.
Ndikimet për profesorin e gjuhës shqipe kanë qenë të fuqishme te kryeministri Albin Kurti dhe duket se “dënimi” për Korenicën që nuk votoi kodin civil do të vijë shumë shpejt.

Me një emërim potencial të Dulës nuk pajtohen pjesa dërrmuese e antarësisë së VV-së dhe kjo prodhon situatë të re. As strukturat e VV-së e as aktivistët (shumica) nuk janë pro një emërimi të tillë.

Në fund pyetja është nëse edhe Dula është pro kodit civil? Një pyetje, përgjigja e të cilës do të mund të hapet horizonte të reja, ende pa filluar mirë kryesimi i Dulës në maje të VV-së.

/Rahoveci24/

Shkruani koment:

Ju lutem shkruani koment.
Ju lutem shkruani emrin tuaj.