KH Rahoveci po forcohet pas sezonit historik, por ka nevojë për përkrahjen e bizneseve

KH Rahoveci pati sezonin më të mirë në histori të klubit, duke u kualifikuar në playoff të Superligës së hendbollit, ku në çerekfinale u mposht nga super ekipi i KH Besës nga Peja, natyrisht pa gjasa për fitore ndaj klubit milioner.

E ndeshjet pa pasur shanca për të triumfuar nuk do t’i shohim më në Rahovec.

Burime të Rahoveci24 bëjnë të ditura që me të përfunduar sezoni ka filluar angazhimi i drejtuesve të klubit të hendbollit, KH Rahoveci.

Në këto angazhime është realizuar arkitektura e ekipit për sezonin e ri si dhe synimet e klubit të cilat janë të qarta – konkurrueshmëria dhe rritja e nivelit, pa përjashtuar as befasitë e mundshme, duke marrë parasysh edhe fondet e kufizuara.

Ajo për të cilën KH Rahoveci ka më së shumti nevojë për momentin është ndihma e bizneseve vendase për të rritur sa më shumë buxhetin e klubit.

KH Rahoveci meriton përkrahjen dhe bizneset që kanë mundësinë e tatimit në fitim duhet ta shfrytëzojnë të gjitha mundësitë për të ndarë 30% të tatimit në fitim për të mbështetur klube si KH Rahoveci, që pa dyshim ishte i vetmi klub që bëri krenar Rahovecin edicionin e kaluar dhe përkrahja është më se meritore.

Mbi të gjitha është klubi që ka më së shumti lojtarë rahovecianë në përbërje dhe është një garanci edhe ekipi i të rinjve, se të rinjt e Rahovecit gjithmonë do të jenë pjesë integrale e rosterit të seniorëve, çka është vlerë e shtuar që dallon KH Rahovecin nga klubet tjera të qytetit.

/Rahoveci24/

Shkruani koment:

Ju lutem shkruani koment.
Ju lutem shkruani emrin tuaj.