KH Rahoveci afër titullit të parë në histori të klubit, Deliu tregon për shumë gjëra rreth klubit shembull

Klubi i hendbollit Rahoveci në konkurrencën e meshkujve, sivjet po tregon rezultate fantastike në Superligën e Hendbollit të Kosovës.

Pas një organizimi të madh që është bërë përbrenda strukturave drejtuese, ka ardhur deri te një mobilizim i madh ekipor dhe padyshim që tashmë rezultatet janë evidente me ekipin që po lufton për titullin e kampionit i cili do të ishte i pari në histori të klubit.

Lidhur me gjithë këto suksese në këtë edicion, Telenews.al ka realizuar një intervistë ekskluzive me kreatorin e tërë kësaj pune të madhe përbrenda KH Rahovecit, drejtorin sportiv Afrim Deliu.

I pyetur fillimisht se cila është formula e suksesit të Rahovecit në këtë edicion dhe a është me të vërtetë ky një projekt afatgjatë, Deliu la të nënkuptohet pozitivisht.

Formula është e thjeshtë në letër, jo edhe aq e lehtë në praktikë. Një organizim i mirë, serioz dhe afatgjatë na ka sjellë në këtë pikë. Eshtë dashur angazhim dhe sakrificë e pashoq, por kur i sheh këto rezultate, gjithçka ia vlen në fund”, thotë Deliu.

Rahoveci po e kërkon titullin e kampionit të parin në histori të klubit dhe me gjithë punën e angazhimin, ai thotë se ende kanë shumë punë para vetes.

Ne duam që t’ia sjellim Rahovecit trofeun e parë madhor në një sport, por jemi të vetëdijshëm që nuk është mision aspak i lehtë. Besa Famgas mbetet favorite dhe nuk jemi ekipi i vetëm pretendent për titull. Por, ne do të punojmë dhe luftojmë shumë deri në fund, këtë mund ta them me bindje të plotë”.

Në sportin kosovar në të shumtën e rasteve brenga kryesore është ajo financiare, por si qëndron Rahoveci financiarisht deri në këto momente që po flasim dhe a ka stabilitet financiar?

Falë përkrahjes së madhe të sponsorëve tanë, sigurisht, pasi janë bindur me projektin tonë serioz, ne mbesim një ekip shumë i konsoliduar në të gjitha aspektet, duke përfshirë edhe atë financiar. Gjej rastin të falenderoj të gjithë përkrahësit e klubit, përzemersisht”, shton Deliu.

Një synim i gjithëhershëm i klubeve kosovare në sport është edhe përfaqësimi në garat ndërkombëtare, por duket se te Rahoveci e shohin më racionalisht këtë pjesë.

Ne mendojmë për ndeshjen e radhës. Për të luajtur në Evropë duhet fituar, për të fituar duhet të përgatitemi për ndeshjen e radhës. Pra, t’i marrim gjërat me rradhë”.

Shihet qartë se te Rahoveci ka një organizim fenomenal këtë edicion, e në klube serioze mendohet dhe veprohet konkretisht, për gjeneratat e reja dhe duket se edhe te Rahoveci po ndodhë një gjë e tillë.

Po gjeneratat e reja janë bazë e rritjes sonë stabile dhe afatgjatë. Këtë vit, ka disa lojtarë që janë promovuar në ekipin e parë nga juniorët, ndërsa vazhdimisht po investojmë në staf dhe zbulim talentësh”, tregon drejtori Deliu.

Në fund të intervistës, njeriu kyç i sukseseve te KH Rahoveci, ka një mesazh për tifozët dhe qytetarët e Rahovecit për stinorin pranveror dhe në përgjithësi.

Qytetarët dhe tifozët tanë dua t’i falenderoj për përkrahjen sivjet që ka qenë rekorde në salla. Sigurisht, kemi mundësi edhe për më shumë andaj dua vetëm t’i bëj një lutje të sinqertë që të vijnë sa më masovisht në palestër në ndeshjet tona. Vetëm me përkrahjen e të gjithë Rahovecit, ëndrra jonë për trofe mund të bëhet realitet”, mbyll përgjigjjet Deliu.

KH Rahoveci gendet i pari në tabelë me bilanc 100% prej 14 fitoreve nga 14 ndeshje, derisa ndjekësi i parë i tyre është Besa Famgas me 11 fitore e 3 humbje. /Telenews.al/

Shkruani koment:

Ju lutem shkruani koment.
Ju lutem shkruani emrin tuaj.