KB Rahoveci U18 ka vazhduar me fitore, kësaj radhe në shtëpi ka mposhtur skuadrën e New Basket nga Prizreni me rezultat 65-58.
Djemt e rinj të udhëhequr nga Ibrahim Hoxha treguan paraqitje mjaft të mirë në sallën e gjimnazit “Selajdin Mullabazi – Mici”.
Më i dalluari ishte Indrit Krasniqi me plot 20 pikë të shënuara, por kontributi ishte i madh nga i gjithë ekipi. Ai u ndihmua shumë edhe nga Bardhi Rexha që po ashtu regjistroi double double prej 11 pikë dhe 11 kërcimeve.
Sidomos në mbrojtje paraqitje fenomenale realizoi Visar Ejupi, i cili ndali lojtarin kryesor të New Basketit dhe nuk lejoi bashkë me ekipin që ekipi prizrenas të përmbysë rezultatin dhe të kthehet në lojë.
Në fund të takimit ishin pikërisht Krasniqi dhe Ejupi që me nga pesë faula u larguan nga loja, kurse ndeshjen e përfundoi Altin Selmancena me një gjuajtje të lirë të saktë me çka i dha edhe fund shpresave të mysafirëve.
Djemt e KB Rahovecit të kategorive të reja janë simboli se këtu ka shpresë për zhvillim sportiv, zhvillim i cili ka mbetur peng i matrapazëve dhe hajnave të skenës politike, të cilët ka një vit që vazhdojnë me gënjeshtra dhe premtime boshe për palestrën, një objekt ky i cili si duket nuk do të finalizohet pasi edhe zgjedhjet janë afër dhe përfundimi i këtij projekti për fillimin e sezonit tjetër logjikisht është i pamundshëm. /Rahoveci24/