KB Rahoveci është duke kaluar nëpër një krizë të thellë ende pa nisur mirë edicioni i ri i garave.
Klubi nënkampion i dikurshëm dhe rivalizuese e skuadrave historike të Kosovës nuk është as hija e ekipit që ka qenë vitin e kaluar, ani pse sivjet janë investuar katër fish më shumë të holla.
Rahoveci24 mëson se klubi po ndikohet shumë nga kriza e madhe e rezultateve.
Humbjet në miqësore ndaj Prishtinës, më pas humbja nga Trepça në Superkupë dhe tash humbja nga Ponte në fillim të kampionatit kanë krijuar një ecuri tejet negative të rezultateve në kampin Vreshtar.
Mungesa e Musab Malës në ndeshjen e fundit ndikoi shumë në paraqitjen e ekipit dhe ai pritet të jetë jashtë edhe së paku një ndeshje, pra ndeshjen ndaj Dritës.
Klubi nuk e ka postuar rezultatin e takimit as në faqen zyrtare çka ka nervozuar shumë qytetarët.
Ndërkaq, portali Rahoveci24 është hedhur në përkrahje të klubit me të filluar edicioni, pasi tentoi që të bëjë presion maksimalisht për përmirësimin e ekipit dhe politikës së klubit, e cila gjatë këtij afati kalimtar veror ishte katastrofale, një gjë që po vërehet edhe nga rezultatet.
Sidoqoftë, nuk është koha për krizë e as për ankesa, sepse sezoni ka filluar.
KB Rahoveci a ka rastin që të kthejë për së mbari gjithçka këtë fundjavë ndaj Dritës në “Mizahir Isma” ku pritet një fitore e thellë e klubit tonë.