KB Rahoveci ka në dorë fatin e vet për këtë sezon pa dy humbjeve rresht të pësuara, njëra në Ligën Unike dhe tjetra në kampionat ndaj Bashkimit që ishte edhe sfida përcaktuese e playoffit.
Humbja nga Bashkimi nuk ishte se skuadra prizrenase është shumë më kualitative, por kishe një koncept të lojës më të qartë dhe kishte një gjeneral në parket siç është Valon Bunjaku.
Me atë humbje u hap gara e playoffit ku Bashkimi ka kalendar më të lehtë, kurse Rahoveci pret në shtëpi së pari Prishtinën, më pas Yllin dhe i shkon Trepçës në Mitrovicë.
Në këto tri ndeshje Rahoveci ka në dorë vet fatin e vet sezonal, ku në rast të fitoreve, sa do që do të jenë ato, maksimalisht i rrit gjasat për playoff, ku na pret KB Peja sipas projeksioneve aktuale tabelare.
Edhe në Ligën Unike Rahoveci ka në dorë fatin e vet ku sërish në Suharekë të mërkurën nga ora 20:30 duhet të fitojë me gjashtë pikë epërsi ndaj Pontes së Arbnor Rifatit.
Mungesa e Ivan Koljevicit (arsye personale) është duke u ndjerë mjaft shumë.
Detyrat e playmakerit i kanë kaluar T.J. Dunans, një lojtar që pozitën natyrale e ka 3 ose 4. Këtë pozitë të organizimit Dunans e ndau bashkë me Koljevic, si lojtari sekondar që luan në PnR, duke ofruar multi dimensionalitet të lojës së Rahovecit, me çka edhe u arritën 7 fitore rresht.
Mungesa për një kohë të pacaktuar të Koljevicit ka ekspozuar Rahovecin në pozitën 1, ku këtë detyrë nuk po mund ta përmbushë i vetmuar T.J. Dunans duke luajtur jashtë pozitës së tij, çka edhe u vërejt ndaj Bashkimit.
Në këtë takim 0 minuta pati në parket Arion Balluku, një prej ikonave të rikthimit të Rahovecit në Superligën e Kosovës gjashtë vite më parë. Dhe, Rahoveci nuk ka mundësi të marrë ndonjë lojtar tjetër të kalibrit, pasi afati kalimtar është mbyllur.
Si për ironi të fatit, edhe ky sezon mund të jetë mbi supet e Arion Ballukut ashtu sikurse në vitin 2016 kur ishte bartës i rikthimit në Superligë bashkë me kapitenin legjendar Besnik Sharku dhe të tjerët.
Ljupce Malinkov nuk i dha asnjë minut playmakerit nga Prizreni ndaj klubeve prizrenase, por ndoshta ai është “Jokeri” që i duhet tash ekipit teksa po mungon Koljevic.
Balluku është mjaftueshëm i përgatitur, pasi ka stërvitur nga fillimi i sezonës me Rahovecin, duke njohur mjaft mirë bashkëlojtarët dhe se është në gjendje që të përmbushë detyrat e organizatorit të lojës, duke çuar topin në anën tjetër dhe duke krijuar mundësinë e një bashkëpunimi me T.J. Dunans sikurse që bëri Koljevic, çka u tregua enigmë e pazgjidhur për kundërshtarët.
Është koha që Ljupce Malinkov të vë në funksion gjithë arsenalin e tij në mënyrë që të shpëtohet ky sezon, e ndoshta edhe ekzistenca e klubit. Në të kundërtën, ai do të jetë përgjegjësi kryesor për situatën e krijuar.
Formacioni ideal i Rahovecit pa Koljevicin: Balluku, Mala, Dunans, Rugova, Mawien
/Rahoveci24/