Kastrioti mobilizohet kundër Rahovecit, i merr pesë lojtarë nga Trepça

Kastrioti i Ferizajt është forcuar goxha shumë në afatin kalimtar të janarit në hendbollin kosovar, që përfundoi të hënën. Dhe kryesisht është forcuar në llogari të Trepçës së Mitrovicës.

Nga Trepça te Kastrioti kanë kaluar pesë prej lojtarëve të rëndësishëm, si Deniz Terziqi, Lulzim Shabani, Hamdi Salihu, Marley Wallace e Liridon Esati.

640x74

Kastrioti synon të futet në garë për trofe në pranverë dhe ka vendosur për përforcime cilësore. Ka angazhuar lojtarë që e njohin Superligën dhe që janë pjesë e rëndësishme e saj. Terziqi vlerësohet prej lojtarëve më të mirë në ligë, njëjtë si aloja Shabani. Salihu, portieri Esati e Wallace po ashtu janë vlerësuar për paraqitjet te skuadra mitrovicase.

Kastrioti ka paraqitur kërkesë edhe për Aldi Rudarin, që deri më tani ishte te Prishtina. Ndërkohë nga Kastrioti te Vjosa do të kalojnë lojtarët si Rinor Selmani, Gëzim Misimi, Drilon Bega, Elton Gashi e Gentrit Brahimi.

Trepça ka paraqitur për regjistrim vetëm tunizianin Marwane Soussi, ndërsa përforcime të tjera të huaja planifikon në ditët e ardhshme. Megjithatë, vështirë se do ta ketë forcën që kishte në vjeshtë.

Te hendbollistët ishin gjithsej 24 kërkesa.

Kastrioti llogaritet prej skuadrave më me nam në hendbollin kosovar. Për këtë kampionat është riorganizuar dhe vlerësohet se ka stabilitet financiar. Stinorin vjeshtor e ka përfunduar në pozitën e katërt me 16 pikë. Trepça është e treta me 20 pikë, Besa Famgas është e dyta me 22 pikë, ndërsa Rahoveci është lider me 28 pikë.

Rahoveci ka paraqitur kërkesë vetëm për Florian Rexhën e Deçanit. Kampionia në fuqi, Besa Famgas nuk ka paraqitur ndonjë kërkesë në afatin e rregullt, por pritet të bëjë lëvizje për lojtarë të huaj në javët në vazhdim.

Te hendbollistet janë paraqitur 23 kërkesa për ndryshim skuadrash. Fatiha Haimer ka kaluar nga Istogu te Samadrexha, njëjtë si Adelina Berisha. Ndërkohë kampioni Istogu ka angazhuar dy braziliane, Ana Carolina Gomes dhe Patica Batista Silva.

Bie në sy largimi i plot 11 lojtareve nga Vëllaznimi i Gjakovës. Kështu kjo skuadër do ta ketë të vështirë vazhdimin e garës në Superligë.

Shkruani koment:

Ju lutem shkruani koment.
Ju lutem shkruani emrin tuaj.