Kapiteni i KB Rahovecit, Besnik Sharku, pas performanës së shkëlqyer ndaj Trepçës është shprehur mjaft i motivuar para duelit ndaj KB Yllit.
Sharku i cili nuk luajti gjatë gjithë ndeshjes ndaj Prishtinës vetëm e vetëm që të jetë i gatshëm për Yllin në maratonën prej katër ndeshjeve për një javë, thotë për Rahoveci24 se ai është i bindur në fitore ndaj Yllit.
“Jam i bindur se mund të fitojmë. Me ndihmën e tifozëve Vreshtarët, fuqishëm besoj se do të gëzojmë qytetin. Dua t’i kërkoj falje të gjithë atyre që udhëtuan për ndeshjan ndaj Trepçës pasi që nuk arritëm t’i gëzojmë me një fitore, ndërsa të gjithë nderuan klubin dhe qytetin. Bëra maksimumin në atë ndeshje dhe më vjen shumë keq që nuk fituam”.
“Përgjigjen pas asaj disfate nga Trepça ku kemi mundur të bëjmë më mirë do ta japim kysmet ndaj KB Yllit sot nga ora 17:00 dhe vetëm më lojë në parket”, theksoi Sharku.
Qendra e Yllit, amerikani Christopher Olivier, realizoi 30 pikë duke qenë 100% i saktë për dy pikë në ndeshjen që Suharekasit zhvilluan ndaj Trepçës një javë më parë. I pyetur nga Rahoveci24 se nëse kapiteni Sharku brengoset nëse do të arrijë të ndalë amerikanin, ai shprehet se ky duel do të jetë sikurse secili duel tjetër për të.
“Ky duel do të jetë sikurse secili duel tjetër për mua. E respektoj Olivierin, e kam shikuar personalisht dhe them se ai po bën gjëra të mira. Tashmë e njoh lojën e tij dhe do të bëj ç’mos ta ndal. E ripërsëris, lojtarët e huaj i kanë motiv të hollat dhe që të dëshmohen për statistika në mënyrë që të arrijnë klube më të mëdha, kurse mua më motivon qyteti im, njerëzit e mi, të bëj krenar qytetin tim dhe njerëzit e mi, pasi unë s’kam çka të dëshmoj, tashmë kam arritur gjithçka me bashklojtarët e mi, kemi realizuar secilën ëndërr, andaj motivi im është shumë më i fortë sepse dashuria ndaj qytetit nuk mund të krahasohet me motivin për para dhe për statistika”, u shpreh Sharku.
I pyetur nëse është në dijeni për luftën e fjalëve dhe problemet rreth palestrës në Suahrekë, Sharku tha se gjithë ajo që di ai është nga mediat dhe rrjetet sociale. Ai ka ftuar tifozët e Yllit të vijnë në numër sa më të madh në skëtë spektakël të basketbollit.
“Kam marrë informacione në media për disa kërcënime. Për një luftë fjalësh mes dyja taboreve të tifozëve, klubit dhe madje edhe mediave. Për këtë më vjen shumë keq. Vërtet kam kaluar çaste të pa harrueshme në palestrën e Suharekës. Nuk dua të besoj se dikush është në gjendje të ndalojë dikë për të zhvilluar sportin, aq më pak njerëzit e Suharekës të cilët janë tej mase mikpritës. I falënderoj shumë dhe u jam mirënjohës për secilën ndeshje që na kanë liruar palestrën. Shpresoj shumë që dikur do të kthehemi të luajmë sërish aty, qoftë si vendas, qoftë edhe si mysafir”.
“Tifozët e KB Yllit nuk kanë pse të ndihen hezitues. Unë si kapiten i ftoj të gjithë qytetarët e Suharekës, tifozët e vërtet të KB Yllit, që të jenë prezent në këtë duel. Ne luajmë basktetbollin për publikun, për tifozët, ashtu bëjnë edhe lojtarët e Yllit dhe ne bashkë duam të kontribuojmë për një spektakël. Ata nuk kanë pse të hezitojnë pasi në konakun tonë mysafiri respektohet. I njoh tifozët “Vreshtarët”, ata janë shembulli i tifozerisë moderne. Ata kurrë nuk e kanë fyer askënd, kurrë nuk i janë përgjigju provokimeve dhe e di se për çfarë njerëz po flas, njerëzit më të mirë dhe më mikpritës. Andaj tifozët e Yllit personalisht i ftoj në këtë spektakël të basketbollit, e në parket le të fitojë më i miri”, deklaroi Sharku për Rahoveci24.
/Rahoveci24/