Kapiteni i KF Rahovecit, Besnik Shehu, nuk ka mundur të përmbahet nga emocionet pas fitores së madhe ndaj Lugut të Baranit në ndeshjen vendimtare të barazhit për mbetje në Ligën e Parë.
Ndeshja “o jetë o vdekje” e cila u zhvillua në Obiliq në terren neutral u fitua nga Rahoveci falë një performance fantastike nga djemt e drejtuar nga Fadil Vuçitërna.
Ishte pikërisht kapiteni Shehu ai që mbajti portën të pa prekur në ndeshjen vendimtare duke realizuar bashkë me ekipin fitoren më të madhe në vitet e fundit.
Për Rahoveci24 ai pas ndeshjes tha se fitorja i dedikohet qytetit.
“Është për qytetin, është për krejt tifozët që kanë ardhë. Faleminderit të gjithë atyre që kanë ndihmuar klubin, falënderoj pa fund trajnerin Fadil Vuçitërna i cili është më meritori që ne kemi arritur në këtë moment për të shpëtuar klubin nga rënia, që ishte synimi jonë nga janari”.
“Jam kthyer nga Austria për këtë qëllim dhe jam i lumtur që e kam arritur këtë synim përkundër vështirësive të shumta në këtë rrugë të vështirë. E ardhmja ime? Këtë ende nuk e kam definuar, ka kohë për këtë, tash dua që të festojmë këtë fitore”, deklaroi portieri i KF Rahovecit.
Kujtojmë se Besnik Shehu e la Austrinë në janar për t’u kthyer në Rahovec për t’i ndihmuar klubit të qytetit që të shpëtojë nga rënia prej ligës së parë, atëherë kur klubi ishte në pozitën e fundit dhe pa asnjë gjasë për të shpëtuar.
Ai përkundër ngjarjeve tragjike në familje nuk kurseu asgjë për të luajtur dhe për të ndihmuar ekipin duke luajtur në secilin takim që nga janari, ku bëri pritje spektakolare në ndeshje të mëdha siç është ndaj Ballkanit në shtëpi.