Kandidati për asamble nga VV me nr. 18, Defrim Kafexhiu, tha se opozita e ka fituar debatin e parë në ATV dhe se Smajl Latifi humbi në mungesë të argumenteve. Ai i atriboi merita të jashtëzakonshme kandidatit të VV-së, Ali Dula.
Po ju sjellim përgjigjet e pa edituara nga Defrim Kafexhiu:
“Mbrëmë në debat opozita doli fituese, me diskutime të shumta dhe tema me interes për qytetarët. Kryetari Latifi humbi në mungesë të argumenteve mbrojtëse, përballë opozitarëve të përgatitur, veçanërisht kandidatit të Lëvizjes Vetëvendosje, ku u pa qartë një mundësi reale që ky pushtet të përmbyset më 12 tetor.
Prof. Ali Dula pati një performancë të shkëlqyer në përballjen direkte me kryetarin Latifi, të cilën e vlerësoj me 9.5/10, pa anashkaluar edhe dy kandidatët e tjerë opozitarë, të cilët po ashtu performuan mirë.
Debatet kanë një rol të rëndësishëm në proceset zgjedhore, sidomos në këto lokale, ku qytetarët presin alternativa qeverisëse dhe ballafaqim programesh për të zgjedhur më të mirin për të ardhmen e tyre. Debatet si ai i mbrëmshmi janë produktive, sepse u pa një disponim për ndryshim dhe krijojnë konkurrencë të dobishme për komunën tonë. Sigurisht, vlerë të madhe kanë edhe fushata zgjedhore, takimet me qytetarët dhe puna në terren, por shpesh edhe debatet ndikojnë drejtpërdrejt në përcaktimin e fituesit.
Sipas atmosferës zgjedhore, fushatës në terren dhe takimeve me qytetarët deri tani, si dhe sipas disa matjeve elektorale, ne, Lëvizja Vetëvendosje gjendet në balotazh me një dallim të papërfillshëm me partin në pushtet. Nëse vazhdojmë me këtë ritëm dhe me një shpërndarje më të gjerë të votave, atëherë ka gjasa të qarta që këto zgjedhje të sjellin një pushtet të ri në Rahovec.”, deklaroi Kafexhiu ekskluzivisht per Rahoveci24.


